Kristiano Ronaldo është një nga temat kryesore në këtë merkato vere, me portugezin që kërkon largimin nga Mançester Junajtid. 37-vjeçari kërkon që të luajë në Ligën e Kampionëve dhe prej kohësh është në kërkim të një skuadre të re që t’ia mundësojë këtë.

Gjithsesi duket se portugezi nuk është përmbajtur më me fjalët e merkatos duke sulmuar drejtpërdrejtë mediat me komentin e tij.

Në një postim, një llogari në Twitter e adhuruesve të Ronaldos ka shkruar: “Horge Mendesh i ka komunikuar Mançester Junajtid se Kristiano Ronaldo është këmbëngulës se do të largohet. Sir Aleks Ferguson ka ndërhyrë. Junajtid insiston se ai nuk është në shitje”.

Një nga komentet ishte i vetë yllit portugez, i cili nuk dukej aspak i lumtur nga këto fjalë, duke ironizuar mediat. “E pamundur të mos flasësh për mua për një ditë. Ndryshe mediat nuk do të fitonin para. E dini që nëse nuk gënjeni, nuk do të merrni vëmendjen e njerëzve. Vazhdon e bëjeni këtë dhe ndoshta një ditë do t’i merrni disa lajme të sakta”, u shpreh Ronaldo.