Marash Kumbulla mund të provojë një tjetër aventurë në Seria A. Për futbollistin e Romës interesohet prej kohësh Torino, në kërkim të një qendërmbrojtësi, pas shitjes së Bremer te Juventusi.

Ivan Juriç është ai që po insiston për afrimin e 22-vjeçarit shqiptar. Kroati punoi me Kumbullën te Hellas Verona në sezonin e parë të mbrojtësit në Seria A, teksa ishte i jashtëzakonshëm.

Trajneri e do te Torino, ndërkohë që klubi kryeqytetas kërkon 20-milionë euro për ta lënë të lirë. Drejtuesit e Romës duan para dhe janë kundër huazimit të futbollistit të Kombëtares së Shqipërisë.

Interesim për Kumbullën ka edhe nga ana e Fiorentinës, që pëlqen prej kohësh edhe Nedim Bajramin. 23-vjeçari është i preferuari i trajnerit Vinçenzo Italiano.

Drejtuesit e Fiorentinës po tentojnë të përfshijnë mesfushorin ofensiv në operacionin e rikthimit të Zurkowskit tek Empoli. Drejtuesit e klubit toskan e duan edhe një vit në huazim mesfushorin polak.

Ditët në vijim, pritet të mësohen detaje të tjera në lidhje me operacionet e mundshme të transferimit të Kumbullës dhe Bajramit, gjithnjë nëse ndodhin.

Maringlen ZHIVANI