Sot feston ditëlindjen e 47-të Roberto Karlos, legjendë e futbollit brazilian dhe e Realit të Madridit. Asnjë i huaj nuk ka arritur të luajë më shumë ndeshje me fanellën madrilene sesa mbrojtësi i majtë, i cili në pak kohë u bë një lojtar i dashur për tifozët madrilenë.
Por nëse Roberto Karlos e ndihmoi Realin e Madridit për të fituar shumë trofe, këta të fundit duhet që të falënderojnë një emër: Roi Hoxhson.
Në vitin 1995, Maro Morati mori drejtimin e Interit dhe u bë president i skuadrës. Bosi zikaltër transferoi 3 futbollistë: Pol Ins, Havier Zaneti dhe të riun brazilian të Palmeirasit, Roberto Karlos. Në ndeshjet e para ai ra në sy për shpejtësinë, goditjen dhe sensin e golave.
Kishte potencë, magji dhe samba në këmbët e tij. Por rezultatet pozitive nuk po vinin dhe në krye të Interit erdhi trajneri Roi Hoxhson. Diçka që nuk ishte pozitive për Roberto Karlosin.
“Roi Hoxhon më shkatërroi. Më bëri që të luaja në mesfushë dhe në këtë mënyrë unë nuk kisha mundësi që të luaja me kombëtaren në Kupën e Amerikës, e cila ishte në vitin 1997. Nuk është se ai merrte vendime të gabuara, por ai thjesht nuk merrte vesh nga futbolli”, kujton Roberto Karlos disa vite më vonë. Tifozët e Interit nisën ta adhuronin mbrojtësin, por trajneri nuk kishte të njëjtën ide.
Ai mendonte se Roberto Karlos nuk ishte i disiplinuar për të luajtur si mbrojtës i majtë dhe duhet t’i linte më pak hapësira. Hoxhson madje i besoi një lojtari si Feliçe Çentofanti, i cili përfundoi në televizionet italiane duke qenë personazh i humoreve të futbollit.
Nuk i besonte Karlosit dhe transferoi Alesandro Pistonen, që të luante në mbrojtje. Historia e Palmaresit mes dy lojtarëve e tregon diçka të tillë. “Fola me Moratin dhe i kërkova që të më linte të largohesha. Pastaj u shfaq Fabio Kapelo. Shkova te Reali për të. Është trajneri më i rëndësishëm i jetës time”, tregon mbrojtësi brazilian.