Marash Kumbulla ka arritur të realizojë ëndrrën e tij, duke u aktivizuar me Helas Veronën në Serinë A italiane. Megjithëse vetëm 19 vjeç, mbrojtësi kuqezi është kthyer në një titullar te skuadra nga Verona dhe duket se besimi te ai është i madh edhe për të ardhmen.

Në një rrëfim për faqen e klubit, ai ka zbuluar emocionet e para të debutimit në Serinë A, teksa pranon se kishte nisur të besonte për këtë debutim vetëm në javët e fundit para fillimit të kampionatit. Kumbulla ka zbuluar edhe kundërshtarin më të fortë që ka pasur për të markuar.

“Seria A? Të shoh veten duke luajtur në Serinë A, më duket shumë e çuditshme por shpresoj të mësohem shpejt. Debutimi ishte një emocion unik sepse të luash në këtë kampionat, është ëndrra e çdo fëmije që merret me këtë sport dhe për mua është një krenari dhe emocion i papërshkrueshëm fakti që kam debutuar që 19 vjeç.

Debutimi? Ishte një paraqitje e mirë e skuadrës duke barazuar me më pak futbollistë. Ishte një ndeshje që do ta kem gjatë në zemër. Në fakt, nuk e nisa shumë mirë sepse në topin e parë që preka, rrëshqita por më pas gjithçka shkoi mirë.

Verona? Kam nisur të luaj këtu që kur isha 8 vjeç dhe mbaj mend gjithçka, përfshirë audicionet dhe kur nuk e kuptoja se çfarë isha duke bërë. Për mua, ishte diçka argëtuese.

Trajneri? Çdo trajner më ka mësuar diçka dhe të gjithë i kujtoj me dashuri. Juriç është trajner më ndryshe sepse u jep besim të rinjve. Ai i bën të rinjtë të luajnë dhe mua më ka dhënë karakter dhe është i ashpër kur duhet. Për një futbollist të ri si unë, Juriç është trajneri ideal.

Pozicioni në fushë? Kur isha i vogël kam luajtur në mesfushë por në herën e parë që luajta me Veronën, më kthyen në mbrojtje. Tani më pëlqen shumë ky pozicion dhe aty dua të luaj. Po e shijoj.

Kundërshtari? Deri më tani, lojtari më i vështirë për t’u markuar ka qenë Dibala sepse ka karakteristika fizike. Ai është shumë më i plotësuar se unë, megjithatë ajo kaloi dhe tani po mendoj ndeshjen e radhës ndaj Kaljarit.

Shkolla, familja dhe hobi? Të realizosh të gjitha angazhimet është shumë e vështirë por familja dhe klubi më kanë ndihmuar shumë në këtë drejtim. Prindërit më kanë dhënë një dorë të madhe dhe më ndjekin kudo. Afërsia e tyre është thelbësore për mua. Më pëlqen të ndjek filma dhe seriale televizive”, u shpreh Kumbulla.