Me fitoren e thellë 5-1 në Kupën e Francës, Toulouse ka ngritur në qiell trofeun e parë të rëndësishëm në historinë e saj, por festa më e madhe vjen padyshim për kualifikimin në Europa League si kampione e Kupës. Megjithatë, festa nuk ka nisur ende dhe “fajtor” duket se është… Milani. Klubi francez dhe kuqezinjtë e Milanos janë në pronësi të RedBird Capital, të Gerry Cardinale dhe kjo gjë mund të bëhet një pengesë për pjesëmarrjen në Europë për të dyja klubet.

Në rregulloren e UEFA-s, neni 5 shprehet qartë se një pronar mund të ketë dy klube që marrin pjesë në kupat europiane. “Asnjë person fizik apo juridik nuk mund të ketë kontroll apo ndikim mbi më shumë se një klub që merr pjesë në garat e klubeve të UEFA-s”, thuhet në rregullore dhe dhimbja e kokës ka nisur. Më shumë për Toulouse, sepse Milani është skuadra që rrezikon më pak.

Përjashtimi i vetëm është nëse Toulouse do të kualifikohej në Conference League dhe Milani në Champions, pasi në këtë mënyrë nuk do të përballeshin në asnjë rast me njëra-tjetrën. Por kjo gjë nuk ndodh, pasi francezët janë kualifikuar në Europa League dhe Milani nëse shkon në Champions dhe del në vendin e tretë në grupe, rrezikon të përballet me Toulouse në Europë. Kështu Gerry Cardinale është me dhimbje koke, nga njëra anë Toulouse ka bërë një arritje historike për klubin, por që mund të penalizohet dhe nga ana tjetër Milani që ende nuk e ka siguruar zonën Champions.

Shpresa e vetme vjen me rastin Red Bull që ka në pronësi Leipzig dhe Salzburg. Të dyja këto skuadra ishin pjesëmarrëse në Champions League në sezonin 2017-2018, dhe në atë kohë drejtuesit bënë disa modifikime administrative që lejuan të dyja ekipet të merrnin pjesë në kompeticionin më të rëndësishëm europian.