Egnatia është padyshim skuadra surprizë e këtij edicioni në Superiore, Loja dhe rezultatet e kanë bërë skuadrën rrogozhinase në nga më të spikaturat e këtij edicioni dhe ajo duket shumë pranë arritjes së objektivit të kualifikimit për herë të parë në histori në turnetë ndërkombëtarë.

Për paraqitjet e kësaj skuadre ka folur në emisionin “Panorama Sport” në “Panorama TV” mbrojtësi i rrogozhinasve, Renato Malota, i cili ka treguar pritshmërinë dhe objektivat që ka në këtë klub.

“Të them të drejtën deri diku po bëjmë një sezon të mirë. Që në fillim ekipi është ndërtuar për lart, objektivi që në fillim ishin Kupat e Europës. Kemi ardhur në një pikë të kampionatit ku jemi brenda objektivave, na presin edhe 7 finale, 5 kampionat dhe 2 në Kupë për të arritur objektivat. Jemi të kënaqur, por me këmbë në tokë që të arrijmë objektivat.

Ishte një fitore mjaft e bukur, nuk e mendonim atë rezultat, por bëmë një punë të mirë të gjithë, duke filluar nga stafi te lojtarët. Ishte ndeshje vendimtare për ne, trepikësh mjaft vendimtar. Vllazninë e kemi rival direkt, tani i kemi 4 pikë mbrapa dhe jemi më të qetë. Na presin edhe 5 finale në kampionat dhe çdo gabim është vdekjeprurës, do të mundohemi të marrim pikët në maksimum.

Vllaznia me ne nuk ka marrë asnjë fitore dhe as nuk na ka shënuar asnjë gol në kampionat në këtë sezon. Kam besim që edhe në ndeshjen e Kupës, do bëjmë mjaft mirë, rezultatin ia lëmë fushës, por kam besim që do të arrijmë në finale.

Vllaznia me ndryshimet që ka bërë, me trajnerin e ri, vinte me stil tjetër loje. Kupa normal na ndihmoi. Ai gol në fund na dogji pak. Gjithsesi kemi besim që do e kalojmë Vllazninë dhe shkojmë në finale.

Dihet që ndeshjet e Kupës ndahen me një gol e dy, nuk të lejohen gabimet, në kampionat edhe të lejohet. Në Kupë ne luajtëm më shumë në fazë mbrojtëse, me kundërsulm dhe të kujdesshëm. Ai goli në minutat e fundit na penalizoi pak, por kemi besim se do të kalojmë Vllazninë në Kupë e shkojmë në finale.

Kupa është torfe, është shumë i rëndësishëm për një ekip dhe rruga më e shpejtë për të arritur në Kupat e Europës. Është si për ata, edhe për ne objektiv dhe uroj të jemi ne në finale.

Është e vërtete që nuk kemi pasur rezultate të mira jashtë, por kemi besim të gjithë që në ndeshjet e mbetura do bëjmë mirë, të nxjerrim gabimet që kemi bërë dhe të dalim me sukses nga këto ndeshje.

Projekti? Nga i pari te i fundit ndjehemi krenar se në verë kur zgjodha të isha pjesë e Egnatias më thanë ‘pse aty’ se kishte vetëm një vit në Superiore dhe kishte qenë në play-out. Ishte një sfidë si për mua, edhe për të tjerët. Është kënaqësi dhe krenari që po bëjmë mjaft mirë dhe jemi të tretët, kemi bërë hapa fals në kampionat, nuk them për kampion, por duhej të ishim më lart me pikët. Por gabimet që kemi bërë do na shërbejnë në vazhdimësi, që të jemi edhe më lart.

I vetmi ekip që na ka ardhur hakut është Tirana, na ka mundur 4 herë, është i vetmi ekip. Nuk kemi pasur fat, nuk na ka ecur fare me ta.

Nuk është kalendar i lehtë se të gjithë luftojnë për objektiv, çdo ndeshje është si finale për ne, edhe të tjerët. Ne kemi lënë pikë me ekipet e vogla por i kemi marrë me të mëdhatë, ndeshjet në vazhdim do të jenë shumë më të forta për ne dhe i vlerësojmë në maksimum duke uruar që të marrim pikët maksimale.

Ekipi ynë ishte formuar në verë, ishte hera e parë që luanim 11 vetë bashkë, është normale që nuk do të njohësh lojën e shokut, do kohën e vet për t’u ambientuar. Ne njohëm më mirë lojën e njëri-tjetrit, merkato e janarit ishte pozitive se erdhën lojtarë që po na ndihmojnë shumë, të gjithë janë arsyeja pse po bëjmë mirë në fazën e tretë dhe të katërt.

Tetova e njeh mirë ekipin, trajnerëve të rinj u duhet dhënë dorë më shumë. Tetova erdhi në verë dhe nuk kishte kohën e duhur të tregonte idetë e tij. Ne jemi të rinj dhe duhet kohë të kuptohesh, unë meritë të madhe edhe për ndeshjen dje i vendos stafit se me skemat e taktikën e tyre ia dolëm të zinim në befasi Vllazninë.

Kupën apo vendin e tretë? Të dyja, se jemi shumë afër. Është normalisht shumë e vështirë se të gjithë nuk na shohin më si Egnatia ekip mesatar, por me potencial dhe na druhen të gjithë. Është problem për ne, se ekipet që të mbrohen është shumë e vështirë t’u shënosh gola. E dimë çfarë do na presë në këtë drejtim, por edhe ne do të bëjmë tonën.

E ardhmja? Unë për momentin kam kontratë edhe një vit, ia lëmë kohës, për momentin jemi herët. Është politikë e drejtë ajo e rinovimeve. Kur ke plane afatgjata normalisht duhet të rinovosh me ekipin, kemi edhe vitin tjetër, por e sigurt që edhe vitin tjetër jemi këtu e urojmë që të bëjmë edhe më mirë.

Të them të drejtën kam luajtur me Partizanin, Dinamon, Vllazninë, Kukësin, Laçin e Flamurtarin, në klubet më të mira ndaj nuk kam peng për Superioren. Tirana? Për Tiranën kam respekt dhe është klub i madh, por kam dalë nga akademia e Partizanit ndaj nuk e kam pasur asnjëherë me dëshirë, edhe pse kam pasur oferta. E kam refuzuar? Po.

Oferta nga jashtë? Mosha ime tani e bën të vështirë të vijë ofertë, por normalisht do e lija. Edhe më parë kam pasur oferta, por kam qenë nën kontratë dhe ishte e pamundur të lëviz”, tha ndër të tjera Malota.