Ditët e fundit në opinionin sportiv po diskutohet shumë në lidhje me shkaqet që kanë çuar në këtë rënie të formës së ekipit të Vllaznisë, gjë që çoi në zbritjen e tij nga vendi i parë i renditjes pas javës së 24-të të kampionatit.

Një shpjegim në lidhje me këtë situatë ka dhënë edhe presidenti i ekipit të Vllaznisë së femrave Lazer Matija, që është njëkohësisht edhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të klubit shkodran. Ai ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Arena” ku ka dhënë mendimin e tij për këtë temë.

“Këto lojtarë ishin në fillim të kampionatit kur ata nuk konsideroheshin lojtarë cilësorë nga askush dhe luanin si “ushtarë”, por dhuruan lojëra të bukura dhe e çuan Vllazninë në vendin e parë.

Këto lojtarë që u sollën ashtu si duhet në dy fazët e para të kampionatit, u sollën si ushtarë të vërtetë. Në këto rrethana, drejtuesit e klubit me shumë të drejtë, duke i menduar disa prej tyre si elementë të perspektivës dhe do t’i shërbenin ekipit edhe për sezonin e ardhshëm, vendosin të rinovojnë kontratat me to.

Por një pjesë e këtyre lojtarëve tani nuk e kanë performancën e mirë të dy fazëve të para të kampionatit. Duke qenë tashmë të sigurtë me kontratë edhe për sezonin e ardhshëm dhe po ashtu tani janë lojtarë tregu dhe si rrjedhojë nuk ishin më “ushtarë” por filluan të sillen si “gjeneralë”.

Prandaj për këtë situatë nuk është fajtor as trajneri dhe as drejtuesit e klubit të cilët i kanë qëndruar jashtëzakonisht afër skuadrës. Unë mendoj se përgjegjësia kryesore për situatën e krijuar javën e fundit është e lojtarëve.

Nga lojtarë që nuk i merrte askush në fillim të sezonit, tashmë u është dyfishuar vlera falë punës që kanë bërë, por nuk duhet të ndalen këtu dhe të mos e çojnë dëm gjithë këtë sakrificë që kanë bërë deri më tani”- ka thënë Lazer Matija./SHKODRA-SPORT.COM/