Viti 2020 ka nisur me ndryshime në drejtimin e ekipit të volejbollit të femrave të Vllaznisë. Që prej pasdites të së hënës, ka një rrokadë trajnerësh teksa Mark Kroqi I ka lëshuar vendin tek ekipi I të rriturave Besnik Lishës dhe vetë ka marrë drejtimin e ekipit të të rejave.

E gjitha kjo ka ndodhur për t’I hapur rrugë një projekti që Lisha ka kërkuar të aplikojë tek volejbolli I femrave në Shkodër. Një projekt që ai e ka sjellë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe falë përvojës së marrë atje, dëshiron ta aplikojë edhe tek Vllaznia.

Duket se diskutimet kanë nisur prej kohësh dhe më në fund kjo lëvizje është konkretizuar. Kroqi, për të mos u bërë pengesë e këtij projekti, ka vendosur që t’ia dorëzojë ekipin e të rriturave mikut dhe kolegut të tij Lisha ndërkohë që vetë tashmë do të punojë me vajzat e reja.

Ndonëse implementimi I një projekti të tillë duket paksa I vëshirë në vendin tonë, Kroqi gjithsesi ka menduar që të mos bëhet pengesë dhe t’I hapë rrugë atij. Për këtë arsye, që nga dita e djeshme gjithçka ka marrë jetë. Besnik Lisha do të ketë me vete edhe një tjetër emër të njohur të volejbollit shkodran, pikërisht Artan Kalanë.

Tashmë mbetet për t’u parë se cilat do të jenë risitë që do të sjellë kjo dyshe tek volejbolli I femrave të Vllaznisë, I cili duhet pranuar se këto vitet e fundit ka patur rritje, megjithatë ka ende nevojë për përmirësime dhe prandaj shpresohet që këto lëvizjet e fundit t’I sjellin ato.
www.shkodrasport.com