Rubin Hebaj, sulmuesi premtues që ka gjithçka për të shkëlqyer. Me 3 gola në 2 ndeshje, talenti shkodran ktheu përmbys të gjitha kritikat kundër tij për formë të dobët.

Në dy përballjet e Shpresave me Maltës, 20-vjeҫari i Partizanit u shfaq si “grabitqar” i golit. Megjithatë, fanela e kuqe pret të lahet me djersën e talentit shkodran. Që prej fillimit të sezonit, Hebaj ka “flirtuar” me golin, por nuk e ka kthyer në “partneren” e tij të dashur.

Këmbëngulja e trajnerit të Partizanit Skënder Gega ndaj kritikëve të sulmuesit të Partizanit duket se nuk rezultoi e kotë. Gëzimi u pa qartë në fytyrën e tij në “Selman Stërmasi”.

Ai beson se Hebaj i ka të gjitha mundësitë të “shpërthejë”. Lojtari i ka dhënë provat që në fëmijëri se e ka të gjithë potencialin për të qenë një “vrasës profesionist” para portës.

Karriera e tij është vërtet mbresëlënëse: Në 2008 provoi “takat” e futbollit me skuadrën e qytetit të lindjes K.F. Shkodrën. Për 4 vite ai regjistroi 100 gola.

Hebaj ruajti trashëgiminë e familjes së tij në futboll, duke ndjekur të atin Ritvanin dhe xhaxhain Sametin, të dy ish-futbollistë. Për të u kujdesën trajnerët Taip dhe Rudi Piraniqi, Vioresin Sinani dhe i ndjeri Artan Bushati.

Në 2016 firmos kontratën me Vllazninë si lojtar profesionist. Për dy sezone realizon 6 gola në 29 ndeshje për të dyja ekipet e kuqebluve.

Kalon në Slloveni me Nk Domzalen ku shënon 5 gola në 15 ndeshje. Hebaj kishte nevojë të forcohej më tepër në karakter si lojtar dhe njeri, e pranoi të kthehej në Shqipëri me Partizanin. Të kuqtë e morën në formë huazimi.

Nga ana tjetër, ai ka qenë i thirrur gjithmonë me ekipet zinxhir të Shqipërisë nga 17-21 vjeҫarët.  Në kulmin e ashpërsimit të kritikave për mungesë impenjimi në fushë, ai mori ҫdo gjë në dorë dhe realizoi 3 gola në 2 miqësoret me Maltën duke dhënë “sinjale” se nuk e ka flakur tutje talentin.

Pas sulmuesve si Vioresin Sinani, Hamdi Salihi dhe Bekim Balaj që lanë gjurmë të pafshira në kampionatin shqiptar, Hebaj është kandiduar si pasardhësi i denjë i “traditës së vyer të futbollit shkodran”.

Salihi ishte sulmuesi i fundit shqiptar i kalibrit të lartë që nuk njihte rivalitet për gola në Superligë. Tashmë Hebaj duhet të kthejë dhe tifozët në krahun e tij.

Ai e ka kuptuar më së miri se rëndësia e kritikave qëndron te zhvlerësimi i tyre me prova. Ka një eksperiencë të shkurtër si lojtar, por jo për t’u injoruar.

Edhe për Kombëtaren, imagjinojeni të ardhmen një dyshe sulmi Uzuni-Hebaj. Rubinit thjesht i mjafton të ndez “melodinë” e tij, që të gjithë duan ta dëgjojnë. /Newsport/