Sulmuesi i Teutës, Rubin Hebaj, mendon se ekipi është duke bërë mirë tashmë dhe s’ka vend për eufori, pavarësisht dy fitoreve të fundit. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, shkodrani është besimplotë për suksesin e radhës, ndërsa evidenton se te shokët ka parë dëshirën e duhur për të kaluar me sukses Partizanin.

Durrsakët e dinë që përballë kanë një kundërshtar të fortë, madje është vetë Hebaj që thekson se ata janë ekipi i mirë, pavarësisht pikëve. E megjithatë, kjo nuk e pengon sulmuesin të besojë e të tentojnë të marrin tri pikët. Për objektivat sezonalë, titulli është ende në mendjen e tij.


Një fitore ndaj Skënderbeut ishte një lloj autokritike pas katër humbjeve në kampionat?

Teuta këtë sezon është ndërtuar për të fituar në çdo ndeshje. Ndeshja e kampionatit me Skënderbeun na dha një gjendje psikologjike më të mirë për vazhdimësinë në Kategorinë Superiore, gjë që është shumë e rëndësishme në këtë faze të nxehtë të kampionatit.


A jeni gati për Partizanin?

E kemi përgatitur me seriozitet ndeshjen dhe do të mundohemi të marrim kontrollin e lojës që në start. Të zotërojmë sa më shumë topin dhe t’i shfrytëzojmë rastet për shënim. E dimë se çfarë duhet për të fituar në të tilla duele.

Prisni të vijoni më fitore?

Objektivi është të fitojmë dhe të marrim tri pikët. Ndaj Partizanit duhet të bëjmë një ndeshje të mirë dhe duhet të fitojmë.


Sa i druheni Partizanit në këtë ndeshje?

E dimë që Partizani është një skuadër që ka ndryshuar disi në këtë merkato, por ne duam të fokusohemi vetëm te loja jonë. Na pret një ndeshje e vështirë, pasi kundërshtari është shumë i fortë. Kemi parë disa ndeshje të tyre dhe të gjithë e dimë çfarë duhet të bëjmë. Besoj se në fund do të arrijmë të marrim tri pikët, edhe pse duhet të djersijmë shumë për këtë gjë. Tri pikët do të ishin shumë të rëndësishme për vazhdimësinë.


Si është atmosfera dhe si po e prisni këtë ndeshje?

Si gjithmonë të tilla ndeshje janë të rëndësishme, pasi tanimë kemi arritur të fitojmë, kemi qenë të angazhuar maksimalisht dhe kemi bërë shumë mirë. Tani kemi një ndeshje shumë të rëndësishme, pasi duam të tregojmë që jemi ekipi kampion. Atmosfera si gjithmonë është shumë e mirë dhe grupi është shumë mirë, ndaj besoj që do të bëjmë mirë.

A keni ndonjë ide se çfarë mund të merrni nga kjo ndeshje?

Në çdo ndeshje ne futemi për të bërë mirë, por, pse jo, edhe për të fituar, pavarësisht se do të jetë përballje e fortë. Kundërshtari është shumë i fortë, por edhe ne jemi goxha të fortë, ndaj objektiv primar kemi fitoren. Për momentin jemi të fokusuar të bëjmë më të mirën në këtë ndeshje.

Kur do ta shohim golin e radhës të Hebajt?

Besoj se do të vijë në momentin e duhur, por nuk ka rëndësi kush shënon, pasi më shumë dua të fitojmë e të festojmë të gjithë së bashku.


Ku mund të shkojë Teuta që aktualisht ndodhet në vendin e 6-të?

Objektivi ynë është ruajtja e titullit, pasi me kontigjentin që kemi në dispozicion, duhet ta bëjmë një gjë të tillë pavarësisht se jemi disa pikë larg. Gjithsesi, nuk duhet lënë pas as Kupa e Shqipërisë, sepse është një mundësi e mirë për të arritur më shpejt Europën, por ka vlerë, sepse fiton një trofe.


Sa e rëndësishme është Kupa?

Kupa është një arsye më tepër dhe një kënaqësi e madhe. Ashtu sikurse çdo ekip, edhe ne kemi të njëjtën dëshirë, ta fitojmë edhe Kupën. Do të ndeshemi me ekipe të mira dhe që i respektojmë maksimalisht. Frikë nuk kemi nga asnjë skuadër. Do të përballemi denjësisht me këdo.