Kohë për të festuar te Teuta. Ai kuali fikim i bujshem ndaj Beitar Jerusalemit, një kundërshtari mjaft të fortë, e ka ndezur atmosferën në kampin durrsak. Sulmuesi Rubin Hebaj, i cili vulosi fitoren e “djemve të detit” në fundin e ndeshjes, në një intervistë për “Panorama Sport” thekson se Teuta dhe të gjitha ekipet shqiptare nuk kanë pse të ndihen inferiore ndaj asnjë kundërshtari në Ligën e Europës. Shkodrani ëndërron një tjetër kualifikim me Teutën, nëse edhe shorti e favorizon sadopak.

Hebaj, një gol me peshë ai në ndeshjen me Beitarin. A e prisnit se do të shkonte ashtu ajo ndeshje?

Ndihem shumë mirë për atë gol, jam i kënaqur që shënova dhe i dhashë kualifikimin ekipit. Shpresoj të luaj sa më shumë minuta dhe më pas i takon trajnerit për të vendosur. Pasimi i Vilës ishte shumë i bukur te rasti i golit. Do t’i marrim ndeshjet me radhë dhe shpresojmë që të bëjmë më të mirën tonë edhe në vazhdim.

Izraelitët ishin favoritë në letër, por në fushë, si ju duk ky kundërshtar?

Unë mund ta them se pas atij takimi letra duhet grisur (qesh). Pra, të jem i sinqertë, mund ta quajmë një provë force. Ka qenë një tur i rëndësishëm dhe çdo fitore ka vlerë, pavarësisht se cilin ekip ke përballë. Ajo fitore na shërbeu më shumë për t’u futur në ritmin tonë, pasi kemi qenë pak të ngarkuar edhe nga faza përgatitore që sapo e kishim mbyllur.

Pas atij sezoni fantastik, Teuta tashmë është edhe në turin e dytë të Ligës së Europës. Çfarë kundërshtari do të ëndërronit në turin tjetër?

Në një kompeticion si Liga e Europës, të gjitha ekipet pjesëmarrëse janë të forta dhe asnjë nuk duhet nënvlerësuar. Ne kemi forcën tonë dhe jemi të vetëdijshëm për atë që mund të bëjmë. Do të mundohemi që të gjithë potencialin që kemi, ta shprehim në fushën e lojës. Kemi një ekip të mirë dhe jam besimplotë se mund ta kalojmë edhe turin tjetër, pavarësisht kundërshtarit që do të kemi përballë.

Sipas jush, kush e ka meritën më të madhe për kualifikimin?

Të gjithë, pa përjashtim, presidenca, stafi dhe ne lojtarët. Jemi një familje dhe kështu sukseset i ndajmë së bashku, po ashtu edhe vështirësitë i kalojmë bashkë.

Europa foli shqip, u kualifikuan të gjitha ekipet tona. A përkthehet ky sukses në progres të futbollit shqiptar?

Realisht, ndihem krenar për këtë ecuri të ekipeve shqiptare në Europë. Tashmë s’kemi pse të ndihemi inferiorë ndaj askujt, sepse futbolli ynë po rritet vit pas viti dhe shpresoj që të gjitha ekipet tona ta vazhdojnë gjatë rrugën në Europë.


Nuk keni shumë kohë për t’u qetësuar, sepse më 31 gusht luani ndeshjen e Superkupës…

Oreksi vjen duke ngrënë, kështu që edhe Superkupën e dëshirojmë, pasi na jep më shumë moral për vazhdimësinë. Tirana është kundërshtar që meriton respekt, por do të tentojmë të përsërisim suksesin e finales së 3 gushtit.

A ju shpërbleu klubi për kalimin e turit?

Të shohim, sepse sot (dje) jemi pushim. Kaq mund të them.

U hodh edhe shorti i Superiores dhe sezoni për Teutën nis me Skënderbeun. Jeni të kënaqur?

Kalendari është i mirë për ne sa i përket startit të kampionatit, pasi do të luajmë 3 nga 4 ndeshjet e para në shtëpi. Pozitiv është edhe fakti që ndeshjen hapëse e zhvillojmë në Durrës.