Shkruar nga Gjergj KOLA
Ka lindur në Shkodër dhe e ka filluar sportin me Vllazninë, por thuajse të gjitha sukseset do t’i kishte me ekipin e Partizanit. Si sportist dhe si trajner. E kemi fjalën për një nga emrat më të mëdhenj të historisë së mundjes shkodrane e shqiptare, Hysen Omi. Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me atë të të 84 vjetorit të lindjes dhe me këtë rast në emër të redaksisë së Gazeta “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Ky kampion ka lindur në Shkodër më 12 gusht 1942 dhe me sportin e mundjes do të lidhej në një moshë të vogël. Bashkë me disa shokë të lagjes “Rus”, bëhen pjesë e ekipit të të rinjve të Vllaznisë dhe në të parin kampionat ku merr pjesë, do të shpallej kampion në peshat e lehta.
Por pikërisht pas këtij kampionati, do t’i bashkohej Partizanit, skuadër me të cilën do ta vazhdonte karrierën e tij si sportist deri në fund dhe më pas do të niste edhe atë të trajnerit, që do ta ushtronte për shumë vite me rradhë.
Duke përfaqësuar ekipin e Partizanit, Hysen Omi do të shpallej 12 herë kampion i vendit, do të fitonte 13 herë Kupën e Republikës, do të ishte fitues i Spartakiadës Kombëtare dhe po ashtu do të ishte i suksesshëm edhe në disa aktivitete ndërkombëtare teksa rregjistron 10 fitore në këto takime.

Pas lënies së sportit, do të angazhohej si trajner tek ekipet e moshave të Partizanit dhe më pas edhe tek ekipi i parë duke stërvitur e nxjerrë me dhjetra kampionë të cilët kanë lënë gjurmë në historinë e këtij sporti në vendin tonë. Dhe jo më kot, shumë prej këtyre sportistëve sukset e tyre ia kanë dedikuar trajnerit Hysen Omi. Në total ky i fundit ka rreth 40 tituj kampionë të fituar në karrierën e tij.

Për të gjitha këto merita, Hysen Omi ka marrë edhe disa vlerësime, duke filluar nga ai si “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Nderi i Klubit Partizani”, për të mbërritur tek titulli më i lartë, ai i akorduar nga Presidenti i Republikës me datë 15 janar 2021 kur u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për punën e palodhur dhe rezultatet e larta në mundjen klasike. Sportist e trajner i talentuar, me rezultate të shkëlqyera, të arritura në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Pak ditë më parë ndërkohë mori edhe një tjetër vlerësim, këtë herë nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar i cili e dekoroi me “Urdhërin Olimpik”, pikërisht për shkak të karrierës së tij të shkëlqyer si sportist dhe trajner dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në sportin e mundjes.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”




