Në Uzbekistan duket se ka gjetur “habitatin” e tij ku po shënon rregullisht dhe është një nga futbollistët kryesorë të ligës. Fjala është për Rubin Hebajn, sulmuesin shkodran i cili prej 3 sezonesh është pjesë e futbollit të vendit aziatik, teksa këtë edicion aktivizohet në radhët e Sogdiana.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai ndalet pikërisht tek forma që po kalon, duke u shprehur i gëzuar. Teksa thekson se edhe sezonin e ardhshëm do jetë pjesë e futbollit uzbek. Ndër të tjera ai ndalet edhe tek kampionati shqiptar e në veçanti Vllaznia, ku shpreson që ky të jetë sezoni i titullit për shkodranët. Gjithashtu edhe si një “ish” i kuqebluve, por edhe Partizanit, 27-vjeçari ndan një mendim edhe për duelin e fundjavës mes dy skuadrave.
Hebaj, duket se jeni rikthyer në formën më të mirë së fundmi, i gëzuar besoj?
Po, normalisht që jam i gëzuar sepse në fillim të sezonit kisha një dëmtim të vogël pas fazës përgatitore, që më la jashtë fushave për një muaj. Të fillosh sezonin me një lëndim, është diçka që asnjë futbollist nuk e dëshiron. Por, pastaj u futa në ritmin e duhur, duke fituar edhe Superkupën e Uzbekistiani e falë Zotit duke shënuar gola e duke ndihmuar ekipin me punën dhe kontributin tim.
Vllaznia në veçanti po bën diferencën me lojën e saj, bindin për ty kuqeblutë?
Vllaznia është në formë shumë të mirë. I kam ndjekur pothuajse të gjitha ndeshjet e kuqebluve dhe mendoj se këtë vit është viti i duhur për ta kthyer titullin kampion në Shkodër. Gjithsesi kampionati është shumë i gjatë dhe ndeshjet duhen marrë njëra pas tjetrës. Mendoj se çunat e kane eksperiencën e duhur për të arritur sukses këtë sezon dhe shpresoj t’ia arrijnë.
Ndeshja e radhës në kampionat do jetë mes dy skuadrave ku ti kontribuar në të shkuarën, Partizani-Vllaznia. Si e mendon dhe parashikon këtë duel?
Them se do të jetë një ndeshje e fortë dhe e luftuar si çdo ndeshje mes këtyre 2 klubeve, por mendoj se Vllaznia për momentin është me 1 marsh më tepër se Partizani. Do të jetë një ndeshje e vështirë për të dyja ekipet për ta fituar duke pasur parasysh se Vllaznia nuk është mësuar të luajë në fushë sintetike, por mendoj se Vllaznia do e këtë kualitetin për ta zgjidhur ndeshjen dhe për të ruajtur vendin e parë në klasifikim.







