Nga Prof. dr. XHEVDET ZEKAJ

Futbollistë kuqezinj, ne jemi krenarë me ju!

Po, po, edhe pse jemi të mërzitur nga humbja 5-0.

Natyrisht, një disfatë e tillë dhemb. Kishim shpresa, ëndërronim mrekullinë, që vetë ju e naltuat aq fort në konferencat për shtyp, të paktën të zhvillonim një lojë dinjitoze.

Nuk ndodhi për shumë arsye. Jemi krenarë me ju, sepse nuk ju mundi Gjeorgjia, Maqedonia, Mali i Zi…., por Anglia, finaliste e “Euro 2020”.

Ju mundi ndoshta kombëtarja më e mirë angleze e dekadave të fundit, e cila u shfaq tepër e mobilizuar, si kurrë më parë. Në gjirin e saj janë yje bote, ndaj diferencat mes dy kombëtareve parathonin gjithçka në mënyrë logjike.

Shpresuam, sepse futbolli ndonjëherë ka edhe surpriza. Në një tempull si “Wembley” i dridhen leqet e këmbëve vizitorëve normalë, jo më të luash aty. Ne nuk jemi të kënaqur me pesë golat e pësuar në 45 minuta lojë, por ama fitoi motivimi, cilësia dhe fizikaliteti i madh anglez.

Formacioni ynë u prish. Mungonte Gjimshiti, pastaj u dëmtuan Kumbulla dhe Bare. Fat i keq që Uzuni nuk barazoi me atë rast ideal, sepse rrjedha e lojës do të ishte ndryshe.

A e keni parë Brazilin pa Pele, Barcelonën pa Messin, Juventusin pa Ronaldon….?! Ne na mungonte Gjimshiti, shtylla e mbrojtjes, u dëmtua dhe Kumbulla, që duhej të neutralizonte Harry Kane më shumë se të pafat.

Çfarë do të bënte trajneri me katër lojtarë kryesorë të dëmtuar? Çfarë mund të bënte me dy lojtarët më të mirë të zëvendësuar për shkak dëmtimi deri në minutën e 17-të?

Kjo nuk ishte skuadra kombëtare, por gjysma e saj. Ky është grupi i së ardhmes, ndaj të mobilizojmë forcat për kualifikueset e Europianit 2024.

Kur themi krenohemi me ju…, kemi parasysh se çfarë ndodhi me Brazilin kur humbi 7-1 ndaj Gjernmanisë, me PSG që humbi 6-1 ndaj Barcelonës, me katalanasit që humbën 8-2 ndaj Bayern Munich. Asgjë e çuditshme nuk ndodhi me to, tifozët i mbështetën skuadrat e tyre të zemrës gjatë gjithë ndeshjes. Kjo humbje, përveç të tjerave, është sinjal që lojtarët e kombëtares mos të fluturojnë.

Si lojtarët tanë të kombëetares ka me shumicë Anglia në Championship, jo më në Premier League. Ky është realiteti, këto janë mundësitë. Mos t’i sulmojmë djemtë kuqezinj, mos t’ua vëmë lakun në fyt.

Vërtet jemi të trishtuar, por këto janë mundësitë. Vendi i tretë u arrit, Hungarinë e lamë pas vetes. Analizat duhen bërë, patjetër, në fund të fushatës kualifikuese, por vend për dramë nuk ka. Grupi i lojtarëve është solid për mundësitë tona, kualifikimi në Europianin e radhës duhet të jetë objektivi i qartë.