Tërbuni kërkon që të kthehet te fitorja ndaj Apolonisë, pasi vjen në këtë sfidë pas dy barazimeve e humbjes së kontestuar me Vorën. Në lidhje me këtë përballje me fierakët trajneri Elvin Beqiri, për “Panorama Sport”, u shpreh:

“Apolonia është një ekip që i ka dhënë shumë futbollit shqiptar, por e ka nisur me rezultate pozitive fazën e dytë. Por, Tërbuni e kanë vlerësuar maksimalisht takimin. Ekipi duhet të tregohet i kujdesshëm gjatë ndeshjes, pasi edhe Apolonia vjen me synimin që rrëmbejë pikë.

U kam kërkuar lojtarëve ta harrojnë humbjen me Vorën dhe të përqendrohen vetëm tek Apolonia. Fazën e dytë nuk e kemi nisur mirë. Të gjitha ekipet kanë bërë përforcime dhe duhet të kemi shumë kujdes. Një humbje sot na zbret në renditje dhe shton rrezikun.

Jemi të vendosur të mos i lëmë hapësirë kundërshtarit në asnjë moment, sidomos në fazën ofensive. Sulmuesit duhet të jenë shumë të vëmendshëm dhe të godasin që në momentet e para.

Kjo ndeshje luhet vetëm për fitore. Lojtarët nuk duhet të bien pre e provokimeve të kundërshtarit, pasi edhe ata vijnë me synimin për të na rrëmbyer pikë. Një fitore e mundshme do të jetë një dedikim për tifozërinë e mrekullueshme që na mbështet në çdo takim brenda dhe jashtë fushës”.