Rudi Vata mendon se bojkoti është zgjidhja më e gabuar në këto momente dhe se protagonistët sidomos kishin gabuar me shfaqjen me futbollistët në stadiume. Në “Procesi Sportiv”, Vata kujtoi se shteti e federata ishin bërë bashkë shpesh në të kaluarën, ndërsa tani rrinin në llogore të ndara.

“Kërkesat më duken normale, duhet të ishin paraqitur shumë herë më parë e jo në këtë situatë. Si ka mundësi që Federata merret vesh shumë mirë me kryeministrin për të ndërtuar stadiume me kulla e për një situatë shumë të thjeshtë për të mirën e futbollit shqiptar krijojnë kaq shumë probleme e vështirësojnë gjërat.

Mungojnë idetë e njerësit që kanë mentalitetin për të zgjidhur gjërat me komunikim se ajo është arma më e fuqishme. Bojkoti është një armë e njerëzve të dobët, nuk i shërben njerëzve të fortë. Në përgjithësi në futbollin shqiptar merren vendime e nuk e di kush janë iniciatorët, në aspektin personal si futbollistët e trajnerët e kanë të vështirë të mbajnë e të stërvitin një grup me lojtarë derisa këto burrat që vendosën bojkotin të vendosin të marrin pjesë në kampionat.

Përsëri, nëse qeveria nuk plotëson këto kërkesa, ai që humbet është futbolli, tifozët. Bojkoti është i rëndësishëm kur nuk ke mënyrë tjetër zgjidhje. Kjo është lojë tipike shqiptare, nuk është problem që këto katër pika të plotësohen nga qeveria. Është krejtësisht luftë politike që bëhet zakonisht në futboll. Kur vjen momenti për krenim, kryeministri del në podium, del si hero edhe i mbështetur nga Federata.

Këta i kanë nisur lojërat e veta e kanë bërë këto vendime, nuk janë të futbollistëve e të trajnerëve. Janë vendime individuale, njerëz individual, interesa personale e nuk sjellin ide me baza të shëndosha për të vazhduar futbollin e përmirësuar futbollin shqiptar. Mungojnë njerëzit me mendje të mirë e dëshirën e ndërgjegjen e pastër.

Këta marrin flakë shpejt e fiken shpejt dhe kam përshtypjen që duhet medoemos komunikimi se ëhstë tepër i rëndësishëm. Duhen njerëz më me inteligjencë që kanë një botëkuptim për jetën në përgjithësi e futbollin në veçanti.

E shoh nga lojtarët, fjalimet që kanë bërë nuk janë natyrale, i thanë ato fjalë me vështirësi, nuk është se i ndjejnë, dikush ia ka diktuar. Është fatkeqësi e madhe të diktosh futbollistët të flasin diçka që nuk e pëlqejnë”, tha Vata. /vipsport/