Rezultati final I ndeshjes së fundit me Dinamon ka qenë 2-1 për Vllazninë dhe në këtë kontekst, për momentin shkodranët po I gëzohen trepikëshit të fitores. Por gjithnjë në këtë temë, shumëkush pyet se si do ishte situata nëse rezultati I pjesës së parë do kishte mbetur në fuqi deri në fund të ndeshjes. Që do të thoshte fitore e dinamovitëve në këtë ndeshje.

Përgjigja është e thjeshtë dhe e saktë: Mund të largohej trajneri Vata. Ky nuk është një dyshim por një e vërtetë e mundshme sespe të paktën kjo është diskutuar në pushimin e ndeshjes nga ana e disa prej drejtuesve të klubit. Ka ndodhur kështu në zyrën ku në pushimin e ndeshjeve shtrohet kokteji I zakonshëm. Drejtues të klubit, pushtetarë lokalë, mes të cilëve dhe këshilltarë të Bashkisë, kanë diskutuar me shqetësim paraqitjen e Vllaznisë në pjesën e parë të asaj ndeshje me Dinamon, ku rezultati 0-1 ka qenë humbja më minimale e mundshme për kuqeblutë për nga mënyra si u zhvillua loja. Në një situatë të tillë, me një Vllazni që nuk reagonte fare, me sulmues që nuk e kishin goditur asnjëherë portën kundërshtarë në 45 minuta, me mesfushorë që s’binim aspak në sy ndaj kundërshtare, e me një mbrojtje që vazhdon të gabojë, sigurisht që të gjithë kanë paramenduar edhe fundin e ndeshjes. Nga drejtues të klubit është hedhur mendimi se kur Vllaznia nuk fiton as ndaj vendit të fundit të renditjes, ndaj kujt do të fitojë. Për këtë arsye, për mungesën e lojës dhe shumë gjëra të tjera, është shprehur mendimi që Rudi Vata në rast humbje duhej të largohej nga drejtimi I skuadrës sepse nuk po sjell ndryshimin  e pritshëm tek ajo. Të tjerë kanë shkuar më tej duke dhënë mendimin se nëse futbollistët pak kohë më parë u gjobitën me 30 për qind të rrogave, këtë herë një gjobë e tillë duhej përsëritur sërish, pse jo edhe më e madhe. Pra në 15 minutat e pushimit ka patur vetëm mendime e diskutime për largime trajnerësh e gjobitje të skuadrës. I vetmi që u ka dalë në krah atyre ka qenë mjeshtri I njohur I futbollit shkodran Ramazan Rragami. Ai kur I ka dëgjuar të gjithë duke dhënë mendimet e mësipërme, në fund të bisedën nuk ka ngurruar të debatojë për ato çfarë kishte dëgjuar me një nga punonjësit e klubit Vllaznia. Mendimi I mjeshtrit Rragami ka qenë që gjëra të tilla, diskutime të tilla për heqje trajnerësh apo gjobitje lojtarësh, nuk I shërbejnë skuadrës. Ai prej kohësh është këshilltari teknik I trajnerit Vata dhe sigurisht që I ka dalë në krah. Edhe ngaqë mendon se Vllaznia duhet të nisë një cikël të ri, për të futur  mentalitet ndryshe në skuadër dhe kjo kërkon kohën e duhur. Për fat të mirë, në pjesën e dytë të ndeshjes, gjërat u rrokullisën dhe Vllaznia e fitoi atë ndeshje. Që do të thotë se trajneri Vata duhet të mendojë I qetë edhe për disa kohë të tjera për drejtimin e skuadrës. Megjithatë zhurma e së shtunës në pushimin e ndeshjes, nuk do të thotë se ai do ta ketë të lehtë të punojë në të ardhmen. Në Shkodër duan rezultate, duan pretendime dhe skuadra për momentin nuk është në gjendje t’I ofrojë këto. Vitin tjetër ndoshta gjërat rregullohen por a do ta presë kush Vatën deri atëherë?!