Rocco Vata ka debutuar në ekipin e parë të Celtic dhe ka tërhequr vëmendjen e disa skuadrave të njohura europiane. Megjithatë, futbollisti me origjinë shkodrane duket ende larg Shqipërisë.

Këtë e ka shprehur dhe paralajmëruar edhe i ati i tij, Rudi Vata, pak kohë më parë, kur ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Show” në TV1-Channel, aty ku ka dhënë një intervistë të gjatë dhe ka folur edhe sa i përket djalit të tij, Rocco. Ky i fundit po përfaqëson Irlandën U-19 dhe njëkohësisht është pjesë e ekipeve të Celtic.

Pritshmëritë janë të larta, por Rudi nuk e sheh si një mundësi kalimin e djalit të tij te Shqipëria nëse nuk ka njerëz seriozë dhe projekte serioze për të ardhmen e Roccos tek Kombëtarja.

Të ardhmen e djalit të tij, Rudi Vata mund t’ia besojë pa frikë një njeriu siç është Vioresin Sinani, i cili ka derdhur shumë djersë dhe ka sakrifikuar për futbollin. Një gjë të tillë Vata e tha haptazi, teksa shtoi se ai nuk mund t’ia besojë djalin dikujt që është futur nga rruga për të luajtur bixhoz me futbollin.

Poashtu, Vata u pat shprehur se Roccon e ka zhvilluar sistemi në Skoci, ndërsa theksoi se nëse ai vjen në sistemin shqiptar, do të dështojë menjëherë, sepse nuk do të ketë mundësi që t’i bëjë hapat siç duhet. Në fakt, janë deklarata shumë kuptimplotë për këdo që ka dëshirë t’i kuptojë…
Maringlen ZHIVANI