Superiorja do kthehet në këtë fundjavë dhe të gjitha ekipet elitës sonë do zbresin në fushë. Vllaznia do e rivijojë kampionatin me ndeshjen kundër Partizanit. Një duel i fortë dhe që luhet direkt për titull dhe zonat europiane. Vëmendja e tifozëve shkodranë patjetër që do jetë te kjo ndeshje.

Por ata janë shprehur të pa kënaqur për ditën dhe orarin kur do luhet takimi. Kjo pasi dueli do luhet në orën 16:00, në ditën e premte. Një ditë që përkon me ditë pune për të gjithë dhe që privon edhe tifozët të udhëtojnë drejt kryeqytetit. Pasi ndeshja ndaj të kuqve do jetë në transfertë në duelin e kësaj jave.

Gjithsesi pritet që tifozët kuqeblu të mos e lënë sërish vetëm skuadrën, ku do kenë mbështetjen siç e kanë pasur gjithë sezonin deri më tani. Një “vesh” dhe një “sy” për tifozët është po ashtu edhe në merkato. Të gjithë presin lëvizje tek shkodranët. Ku vëmendja më e madhe është tek afrimi i ndonjë sulmuesi me peshë apo edhe një qendër mbrojtësi.

Kjo javë pritet të sjellë zhvillime të reja në kampin shkodran. Jo vetëm në aspketin sportiv , ku në prag është ndeshja me Partizanin. Por edhe në atë të merkatos, ku mendohet se do realizohen edhe lëvizjet e para në kampin kuqeblu.
Endri ÇINARI