Rudi Vata është i drejtpërdrejtë kur pyetet për dështimin e klubit të Vllaznisë në Kupat e Europës dhe e ka shumë të qartë pse skuadra shkodrane nuk bën dot hapa para. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-kapiteni shkodran i Kombëtares i bën një analizë asaj ndeshjeje ndaj Kraiovës, e vlefshme për kompeticionin e UEFA Conference League

Vata u shpreh se Kraiova nuk ishte një kundërshtar i jashtëzakonshëm, ndërsa theksoi se Vllaznia nuk kishte efikasitet në sulmet e saj.

“Kam qenë në stadiumin “Loro Boriçi” në ndeshjen e parë në Shkodër. Në pjesën e parë luajtën shumë dobët, ndërsa Josa e ndryshoi skuadrën në pjesën e dytë dhe arritën të barazonin. Vura re se në momentin, kur Vllaznia mundohej të vendosnte nën presion Kraiovën, ata bëheshin normalë.

Universitatea nuk ishte një kundërshtar i jashtëzakonshëm, por gjithsesi mendoj që edhe në ndeshjen e dytë, Vllaznia shkoi me synimin për të mos pësuar. Mirëpo, kur ti mendon më shumë për të mbajtur portën e paprekur, atëherë duhet të kesh edhe efikasitetin e kundërsulmeve, që me dy-tre të tilla, të shënosh.

Vllaznia nuk e kishte këtë, për më tepër që Kraiovën nëse e sulmoje, mund t’a thyeje. Mbrojtësit e Kraiovës nuk ishin në nivelin e duhur, por Vllaznia nuk krijoi asgjë. Priti dhe e pësoi, duke humbur më pas ekuilibrat dhe stabilitetin. Nuk e kishte forcën sulmuese, edhe kur u fut Latifi. Skuadra kishte defiçite dhe ishte pa forcë për të sulmuar. Edhe kur ishte 3-0, pavarësisht ndërrimeve që bëri Josa, nuk pati as freski dhe as agresivitet në sulm.

Vllaznia nuk meritoi më shumë, pavarësisht tentimeve që bëri në Shkodër, pasi në Rumani tregoi se nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të shënuar. Kraiova ishte efikas dhe zot i lojës. Vllaznia duhet të jetë si e pjesës së dytë në Shkodër për të pretenduar. Kjo lloj loje duhet interpretuar për 90-minuta, jo vetëm për 20. Josa është nga trajnerët më të mirë që ka Superiorja, pasi ka eksperiencën e mjaftueshme.

Ai e di mirë se si funksionon kampionati shqiptar. Josa është një trajner i nevojshëm për Vllazninë, por shpresoj që të evidentojë futbollistët që do t’i duhen për ta çuar te goli dhe për të pasur sukses”,-tha gjatë prononcimit të tij ish-futbollisti shkodran i Vllaznisë dhe i Kombëtares, Rudi Vata.

Maringlen ZHIVANI