Ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata, bëri një analizë të detajuar të situatës aktuale në ekipin kombëtar, në prag të duelit me Poloninë, që do të zhvillohet ditën e nesërme në Varshavë.
Në një prononcim të dhënë për emisionin “Studio Sport” në “Vizion Plus”, Rudi Vata, u shpreh se vetëm Shqipërisë i duhet një situatë e ngjashme me atë të Ballist Morinës ndaj Serbisë për t’u futur në Europian, teksa shkodrani shikon Poloninë dhe Çekinë shumë hapa para Kombëtares kuqezi.
“Silvinjo është prezantuar mirë. Ka ndërtuar një strategji perfekte. Vjen në një vend të ri me eksperiencë të re, ka optimizmin e duhur. Çdo gjë do të pasqyrohet në fushën e lojës. Është një kombëtare e brishtë, nuk jemi solidë. Nuk jemi rritur si Kombëtare që nga kampionati Europian i De Biazit. Shqipëria është një vend jo stabil. Sistemi ka qenë jo i ndershëm, jo sportiv. Jemi një Kombëtare që kemi nevojë të rritemi.
Jemi vendi i vogël që kemi pretendime me të mëdha se sa i kemi kapacitete. Çekia dhe Polonia janë 2 shtete të fuqishme, që kanë marrë pjesë rregullisht në Europian apo Botëror. Kanë eksperiencë, mentalitet shumë më të mirë se ne. Me Silvinjon duhet të bëjmë më mirë se me Rejën. Duhet të paraqisim vlerat. Në qoftë se koordinojmë mirë agresivitetin dhe teknikën atëherë po.
Duhet të mbajmë topin në kontroll, kemi futbollistë të mirë dhe duhet të jemi agresivë. Një javë punë nuk janë të mjaftueshme. Skaudra ka nevojë për t’u ribashkuar dhe të paraqesë vlera kombëtare. Vijnë të përfaqësojnë një komb që ka nevojë për energjinë e fitores. Në qoftë se arrin Silvinjo t’iu marrë më të mirën, kemi mundësinë për të bërë hapin përpara.
Menaxhimi i Brojës ishte situata më e dobët e Rejës dhe Dukës. Kombëtarja ka nevojë që djemtë e rinj të vijnë të mbështeten. Krijuam konflikt të panevojshëm. Të gjithë e ndjemë. E dimë si funksionojnë dhomat e zhveshjes në Kombëtare. Mund të mbërrish në Europian rastësisht, por kjo nuk është një diçka që ne duhet të gëzohem gjithmonë. Duhet të ndryshojmë mentalitetin e njerëzve që po punojnë me futbollin. Nuk e harroj De Biazin kur deklaronte që duhet të ndryshojmë mentalitetit. Kjo ndryshon me sjelljen. Nëse sillemi keq, marrim energji negative.
Lojtarët nuk u rritën, u krijua hendeku. Mbetëm aty ku ishim me Rejën, nuk përfituam nga kjo situatë. Duhet t’iu kishin dhënë kohën e mjaftueshme këtyre njerëzve për të punuar në miqësore, kur dihej që Reja do ikë. Nuk janë pjesë e ndershme e futbollit.
Magjistar me qenë nuk mundesh të bësh gjë kaq shpejt. Unë e shikoj Poloninë shumë më përpara nesh në të gjitha drejtimet. Me kaq pak kohë që Silvinjo ka në dispozicion, që të marrë një rezultat pozitiv, mund të quhet magjistar. Silvinjon mund ta gjykojmë dhe kuptojmë mbas 4-5 ndeshjesh.
Harmonia, grupi, janë pika të rëndësishme, vetëm kështu mund të shkojë larg Shqipëria. Në qoftë se do të gjejnë dhe një tjetër si Ballist Morina, dhe t’i heqin 6 pikë Polonisë, kanë shanse të shkojnë në Europian, ndryshe jo. Në logjikën time nuk ka shanse”, u shpreh Rudi Vata.