Në sezonin e fundit ka qenë një ndër futbollistët më stabël në formacionin e Vllaznisë. Ka luajtur thuajse në të gjitha ndeshjet dhe ka dhënë kontributin e tij në ngjitjen e skuadrës në Superligë.

Mbrojtësi rumun Dan Ignat me një përvojë të madhe në arenën ndërkombëtare, sot i ka dhënë lamtumirën Shkodrës. E ka bërë këtë gjë me një postim në faqen e tij në instagram ku shkruan: “Dita ime e fundit në Shkodër”.

Në fakt kontrata e tij me kuqeblutë përfundon më 31 maj megjithatë duket se ai ka arritur akordin me drejtuesit e Vllaznisë për t’u larguar pak ditë më herët.

Para largimit, ai ka dhënë edhe një prononcim të shkurtër për “Shkodra Sport”. I pyetur nëse i vjen keq ngaqë goli i tij në finale nuk i vlejti për asgjë Vllaznisë ngaqë ajo nuk arriti të shpallej kampione, 34 vjeçari rumun përgjigjet:

“Më vjen keq që nuk arritëm të shpallemi kampionë. Por ne lojtarët kemi luajtur pa grintën e duhur dhe nuk e kuptoj pse luajtëm në mbrojtje”.

I pyetur nëse do kishte dëshirë të rinovonte me kuqeblutë nëse i ofrohej kjo gjë, Ignat nuk ka dëshirë të përgjigjet duke lënë të kuptohet se aventura e tij në Shqipëri ka përfunduar këtu.
© shkodrasport.com