Ka luajtur për shumë vite me rradhë për skuadrën shkodrane dhe sigurisht që ndjen keqardhje për pozitat aktuale të Vllaznisë. Atij nuk I vjen aspak mirë që kjo skuadër përflitet edhe për rënie nga kategoria, përmendet shpesh për keq në media, ndërrohen shumë trajnerë, e gjëra të tjera. Safet Osja, ish-futbollisti kampion I kësaj skuadre që tashmë mban postin e drejtorit sportiv tek Ada, duke folur për Vllazninë e sotme do të shprehej: “Të them të drejtën, nuk më vjen aspak mirë kur e shoh Vllazninë në këtë gjendje.

Ajo ka një emër të madh në futbollin shqiptar dhe nuk ka sesi të jemi të kënaqur me renditjen e saj në këtë kampionat, me problemet e shumta që ka kaluar etj. Unë sigurisht që e uroj trajnerin Grima, që është një miku im I ngushtë për fitoren e fundit ndaj Apolonisë dhe e vlerësoj punën e tij sepse nuk është e lehtë ta marrësh drejtimin e skuadrës në këto momente. Ai duhet të përpiqet të bëjë më të mirën në këto ndeshje që kanë mbetur. Ndërrimi I shumë trajnerëve, problemet në drejtim etj, kanë ndikuar në rezultatet e skuadrës prandaj dhe duhen harruar sa më parë, këto që kanë ndodhur”. Osja ka dalë kampion me Vllazninë por edhe me Elbasanin dhe e di mjaft mirë se si mund të ndërtohet një skuadër pretendente. Ai sigurisht që është I kënaqur kur dëgjon se për sezonin e ardhshëm do ndërtohet një ekip pretendent dhe prandaj në lidhje me këtë gjë thotë: “Më vjen mirë kur dëgjoj se planet janë për një skuadër pretendente por puna duhet nisur urgjentisht për të menduar për sezonin e ardhshëm. Kuptohet që janë disa lojtarë shkodranë që luajnë në skuadrat e tjera dhe duhet tentuar për t’I kthyer sërish tek Vllaznia. Bala, Lika, Shtubina, Nika, Vucaj janë lojtarë shumë të mirë dhe do ishte bukur sikur të ktheheshin të gjithë. Pastaj ka edhe shumë lojtarë të tjerë që luajnë në Lezhë e Gjirokastër dhe duke I grumbulluar të gjithë, mund të krijohet një ekip I mirë. Vllaznia nuk ka nevojë për shumë blerje të huaja që ndoshta rezultojnë edhe të kota pastaj. Ajo bazën duhet ta ketë me lojtarët e saj. Por për mua, më e rëndësishme se gjithçka tjetër është krijimi I një boshti tek Vllaznia. Ky bosht I ka munguar skuadrës këto dy-tre sezonet e fundit. Nëse gjërat bëhen në kohë dhe ka vullnte nga drejtuesit për të bërë diçka të mirë, mendoj se do bëhet një skuadër pretendente sepse mundësitë janë”. Edhe Osja në këtë mënyrë bashkohet me zërin e ish-futbollistëve të tjerë kuqeblu që nuk mund ta durojnë një Vllaznia kaq poshtë sa këtë sezon. Për të, ashtu si për shumë të tjerë nuk ka rëndësi të etiketohet fajtorët se kush e çoi skuadrën në këtë gjendje. E rëndësishme është të bëhet më e mira për të ardhmen.
Gjergj KOLA