Basketbollistët shkodranë kanë arritur një fitore shumë të rëndësishme pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi ndaj Kamza Basket me rezultatin 65-64 në gjysmëfinalen e dytë të kampionatit. Me këtë fitore, ata kanë barazuar numrin e ndeshjeve të fituara në 1-1 dhe gjithçka për të përcaktuar skuadrën finaliste, do të vendoset ditën e premte në takimin e fundit mes tyre që do zhvillohet në Tiranë. Ndeshja e sotme ka patur shumë emocione brenda saj. Ajo e ka përcaktuar fituesin vetëm në sekondat e fundit teksa një kosh i Hallunajt i ka dhënë fitoren Vllaznisë. Në fakt ndeshja ka filluar më mirë për miqtë të cilët e kanë fituar periodën e parë në shifrat 22-18. Ata e kanë dominuar lojën edhe në periodën e dytë që ka vendosur sërish shifrat 15-10 në favor të Kamza Basket. Por ndërkohë në periodën e tretë do ndodhte përmbysja. Vllaznia e drejtuar me mjeshtëri nga trajneri Bledar Gjeçaj dhe duke patur një lojë shumë më të mirë të basketbollistëve të saj, e fiton këtë periodë në shifrat 20-10, çka do të thoshte se 10 minuta para përfundimit të ndeshjes, ata ishin me një pikë avantazh. Një rezultat i tillë e bënte dramatike periodën e katërt dhe të fundit dhe në të vërtetë ashtu ka rezultuar. Skuadrat kanë kaluar sa njëra aq dhe tjetra në avantazh. Në sekondat e fundit ka qenë Kamza Basket që udhëhiqte rezultatin në shifrat 64-63 por një depërtim i bukur i Hallunajt, është konkretizuar me shënimin e koshit përcaktues të këtij takimi që do shënonte edhe fitoren e shkodranëve me shifrat 65-64. Me këtë fitore, ata kanë barazuar në 1-1 ndeshjet gjysmëfinale dhe për të përcaktuar skuadrën finaliste, gjithçka do vendoset ditën e premte në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit.

www.shkodrasport.com