Vllaznia ka dy dekada pa shijuar trofeun e Su perkupës. Si për koincidencë, për herë të fundit që ka fituar, e ka bërë në një finale kundër Tiranës më 15 shtator të vitit 2001. Në këtë ndeshje shkodranët mundën bardheblutë me shifrat 2-1 në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe morën Superkupën për herë të dytë në historinë e klubit.

Në atë kohë skuadra drejtohej nga malazezi Dervish Haxhiosmanoviç, në një kohë që golin e parë e shënoi Saimir Patushi. Ish-mesfushori matjan, në një intervistë për “Panorama Sport”, kujton atë finale, në një kohë që jep mendimin e tij edhe për ndeshjen e së mërkurës, por jo vetëm.

Saimir, keni qenë protagonistë në finalen e fundit të Superkupës që Vllaznia ka fituar kundër Tiranës në vitin 2001. Tashmë 21 vite më pas, çfarë kujtoni nga ajo ndeshje në “Selman Stërmasi” kur ju shënuat golin e parë?

Po, e kujtoj shumë mirë. Vinim si kampion kundër Tiranës në atë ndeshje, pasi kishim bërë një sezon të shkëlqyer dhe vazhduam me përfaqësimin dinjitoz në Ligën e Kampioneve. Kaluam turin e parë ndaj Reikjavikut, e më pas u eliminuam nga Gallatasarai, edhe pse bëmë një ndeshje shumë të mirë ndaj turqve. Më pas u përgatitëm mirë për trofeun e Superkupës dhe ia dolëm në Tiranë. Goli im ishte thjesht pjesë e vazhdimësisë, pasi kemi luajtur mirë të gjithë si ekip. Ka qenë një ndeshje e rivalizuar, por që fituam me meritë.

Të mërkurën luhet në “Air Albania”, çfarë ndeshjeje prisni këtë herë?

Të dyja ekipet besoj se kanë pasur shumë kohë për ta përgatitur ndeshjen. Unë shpresoj që të dhurojnë spektakël te kjo finale. Mendoj se cila skuadër do të gabojë më pak dhe ajo që do të fitojë dyluftimet në mesfushë, do të jetë edhe fituese në fund.

Nisur nga përbërjet që kanë dy skuadrat, cilët lojtarë mendoni se do të bëjnë diferencën në këtë finale?

Si Vllaznia ashtu edhe Tirana i kanë kualitetet që të ndëshkojnë. Te skuadra shkodrane shikoj Latifin dhe Markun, që mund të godasin në çdo moment me cilësitë që kanë. Ndërsa te Tirana është Xhixha dhe Kallaku që i kanë cilësitë. Varet kush do t’i shpalosë i pari aftësitë.