Sulmuesi egjiptian Mohamed Salah i ka komunikuar klubit të Liverpool se nuk do të largohet këtë verë. Sipas “The Athletic”, 31-vjeçari ka vendosur të respektojë kontratën që e lidh me “reds”, duke qëndruar në “Anfield” edhe sezonin e ardhshëm.

Kjo do të thotë se Salah mund të ikë me koston zero në verën e vitit 2025. Për lojtarin janë interesuar mjaft ekipet arabe. Madje verën e kaluar dhe në janar ofertat për të dhe Liverpool ishin marramendëse, por nuk ndodhi asgjë.

E ardhmja e Salah është kthyer sërish temë dite, sidomos pas përplasjes së tij me trajnerin Jurgen Klopp, gjatë barazimit 2-2 me West Ham.
Trajneri i Feyenoord, Arne Slot, pritet të jetë drejtuesi i ri dhe të marrë disa vendime të mëdha, përfshi edhe të ardhmen e Salah.

Egjiptiani luan në “Anfield” prej vitit 2017 dhe në 346 ndeshje zyrtare ka realizuar 210 gola, duke qenë një nga idhujt e tifozëve.