Ish-sulmuesi i njohur i Shqipërisë, Hamdi Salihi, nuk e fshehu gëzimin dhe krenarinë për ecurinë e jashtëzakonshme të skuadrës së tij të zemrës, Vllaznisë, këtë edicion.

Në lidhje direkte nga Kalifornia për emisionin “Zona Gol” të Supersport, ndihmësi i Edi Rejas te Shqipëria pranoi se faktin që nuk e fitoi asnjëherë titullin kampion si futbollist i Vllaznisë, dëshiron ta kompensojë në rolin e trajnerit të shkodranëve një ditë.

Vllaznia – Me thënë të drejtën, jo vetëm mua si shkodran, si sportist i Vllaznisë që jam rritur aty, por shoh që sikur i vjen çdokujt mirë edhe atyrë që s’janë nga Shkodra, u vjen mirë që shohin Vllazninë të eci kështu.

Ajo që më bën përshtypje është përulësia që ata po tregojnë nga java në javë duke u munduar të rrinë sa më larg euforisë dhe mendjemadhësisë që mund të karakterizojë dikë në këtë situatë. Po e menaxhojnë shumë mirë situatën.

Pengu në karrierën si futbollist – S’kam mundur të dalë kampion me Vllazninë. Do të kisha pasur qejf ta përjetoja një gjë të tillë si lojtar. Por, edhe kështu si shumë shkodranë të tjerë, e ndiej veten pjesë të atij ekipi. E përjetoj si ata të gjithë që janë afër ekipit.

Mbase e çojnë deri në fund atë rrugë që kanë nisur. Do të isha shumë i gëzuar.Këtë profesionin e trajnerit sapo e kam filluar. Jam duke mësuar përditë. Kur të jetë momenti i duhur, mbase do të jem në atë pozicion dhe ta përjetoj ndoshta një gjë të tillë si trajner i Vllaznisë.