Vendimi i federatës për rinisjen e kampionatit pas më shumë se dy muajsh pushim, për shkak të pandemisë së Koronavirusit dhe karantinimit të detyrueshëm, i ka gëzuar futbolldashësit shqiptarë, sidomos ata të atyre skuadrave që kanë një objektiv për të arritur, siç është edhe Besëlidhja.

Lezhjanët mbajnë vendin e dytë në Grupin A dhe duhet të rikuperojnë një diferencë prej 9 pikësh me Kastriotin në 6 ndeshje, në të kundërt duhet t’i bëjnë llogaritë me ndeshjet shtesë për të shkuar në elitë, por këtu vështirësia bëhet shumë e madhe.

RUQI – Futbollistët dhe drejtuesit e skuadrës lezhjane janë plotësisht dakord më vendimin e FSHF-së për vazhdimin e sezonit në fillim të qershorit. Mbrojtësi shkodran, Samet Ruqi, i cili e ka veshur fanellën e Besëlidhjes në merkaton e janarit, kur erdhi nga Vllaznia, nuk e fsheh entuziazmin për vazhdimin e kampionatit dhe dhënien e verdikteve në fushë. Për “Panorama Sport” ai deklaron: “Për një futbollist profesionist dhe për më tepër kur është në kulmin e karrierës së tij, jeta pa futboll është si ta fusësh në burg.

Këto javë, që nuk janë pak, por nëntë, jemi mërzitur shumë, edhe pse jemi munduar të stërvitemi në kushte shtëpie. Kjo shkëputje e gjatë erdhi si pasojë e pandemisë, që paralizoi futbollin në gjithë botën, ndaj kjo gjë na ngushëllon disi. Ndezja e dritës jeshile nga federata për rinisjen e kampionatit aty ku është ndërprerë, na ka entuziazmuar pa masë, pasi na duket sikur po çlirohemi nga ‘prangat’. Besëlidhja ka një objektiv që është ngjitja në Superiore, ndaj dhe rinisja e ndeshjeve na e ndez edhe shpresën e realizimit të këtij objektivi”.

BESELIDHJA

KUPA – “Përveç kampionatit, ne kemi shkuar deri në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, ku do të ndeshemi me Tiranën. Përveç mundësisë për të shkuar edhe më larg në këtë kompeticion, ndeshja me Tiranën është një kënaqësi për çdo futbollist, sido që të shkojnë gjërat.

Shpresoj se Besëlidhja këtë pjesë të mbetur të sezonit do ta shfrytëzojë deri në fund për të realizuar objektivat e saj. Kam besim se do t’ia kthejmë buzëqeshjen tifozërisë lezhjane, që ka 12 vjet që po pret ta shohë Besëlidhjen në elitën e futbollit shqiptar”, ka thënë në fund mbrojtësi Samet Ruqi.