Skuadra e Lirisë së Prizrenit aktualisht është skuadra liderë e Ligës së Parë të Kosovës në futboll, me pikë të njëjta me Istogun.Kjo skuadër drejtohet nga tekniku shkodran, Samuel Nikaj, i cili njihet për inkuadrim të skuadrave në elitë.
Nika sot për Gazeta Olle ka zbuluar shumë gjëra si për skuadrën e tij ashtu edhe për edicionin që po zhvillohet në rangun e dytë të garave në futbollin kosovar.
“Ne si skuadër deri më tani realisht është dashur t’i kemi së paku edhe 6 pikë më shumë e për këtë përgjegjësia është e imja direkt pasi kam fond të mirë të lojtarëve, por edhe përkrahjen e madhe nga kryesia e klubit”, tha fillimisht Nikaj.
Tutje, tekniku i Lirisë ka folur edhe për cilësinë e Ligës së Parë si dhe për skuadrat rivale kryesore për inkuadrim në Superligë.
“Rivaliteti po qëndron i fortë me skuadrat me emër dhe skuadrave surprizë, por ka shumë javë deri në fund dhe pretendentët kryesor të Lirisë do të shihen në metrat e fundit.
Niveli këtë vit i Ligës së Parë realisht është më i dobët se vitin e kaluar, kurse ne si skuadër kryesuese nuk kemi prodhuar rezultate dhe lojë të denjët të jemi në këtë vend”, tha Nikaj.
Për fund Nikaj nuk ka hezituar të flas edhe për ndeshjen ndaj Vëllaznimit ndërsa ka pasur edhe disa fjalë mjaft të ashpra ndaj disa rivalëve të tyre në këtë Ligë.
“Vëllaznimi ashtu si Liria e Trepça janë asete të futbollit kosovar dhe të vjen keq për situatën ku ndodhen momentalisht. Kjo nuk është normale sepse luajnë nëpër lagje të Prishtinës ose nëpër katunde të cilat në disa raste na mundin edhe në mënyrë jo të mirë me shumë presione, por ne si Liri e Prizrenit duhet të bëjmë maksimumin dhe të dalim nga kjo ligë duke fituar ndeshjet pas çdo jave përfshirë edhe takimin e radhës ndaj Vëllaznimit që panvarsisht gjendjes aktuale ka një fanellë që i peshon rëndë”, përfundoi shkodrani.