Samuel Nikaj e shikon Pogradecin si një kantier ndërtimi për momentin. Trajneri shkodran i liqenorëve, në një intervistë për mediat pas testit me Erzenin, që përfundoi 0-0, tregon planin që ka me skuadrën si dhe atë që pret nga merkato.

“Na mungon një qendërsulmues i gjatë që të fitojmë topin e parë, megjithatë më pëlqen shumë loja për topin e dytë, ku kundër Erzenit fituam pothuajse 80% të dyluftimeve. Kjo ka qenë edhe ideja ime që të luajmë me topin e gjatë edhe të fitojmë topin e dytë, pra më metrat e fundit dhe aty të futim në efiçencë driblimet e Alillarit, Topllarit, Shkulakut, të cilët janë lojtarë që dinë të driblojnë një kundër një, prandaj mendoj që sot ishte deri diku ajo lloj loje ku pati grintë, pati dyluftime.

Merkatoja eshte e hapur, normalisht që sot lojtari brazilian, qendërmbrojtësi Joao më pëlqeu. Lojtar që na ka munguar këtë vit, sepse është me shtatlartësi, i saktë në dyluftime sidomos në lojën në ajër. Po ashtu edhe futja e Ivanit në qendër të mbrojtjes i ka dhënë tepër garanci sidomos lojës në ajër. kur them jemi kantier ndërtimi, ne presim lojtarë, jemi në bisedime.

Ka mundësi që këtë javë të vijnë 2-3 lojtarë me përvojë në kategorinë e dytë. Vjet kishim super ekip, por luanim si ekip i kategorisë së parë, këtë vit do të tentojmë të luajmë si ekip i kategorisë së dytë dhe të fitojmë me këtë lloj futbolli”- eshte shprehur trajneri Nikaj.