Trajneri i Pogradecit, Samuel Nikaj ka komentuar lëvizjet e fundit tek Vllaznia. Sipas tij vendosja e një trajneri që nuk e njeh ambientin në Shkodër ishte lëvizja e duhur e drejtuesve.
Nikaj po ashtu thekson se Sedloski duket se i shkon traditës dhe stilit sulmues të kuqebluve. Gjithashtu ai ndalet tek skuadra e tij, duke premtuar se do luftojë deri në fund për ngjitjen në Kategorinë e Parë.
Nikaj tha: “Pashë disa sekuenca te Vllaznisë. Pashë një skuadër me dëshirë, ritëm dhe futboll. Duket se trajneri Sedloski e ka analizuar shumë mirë ekipin në vetëm pak ditë në krye të pankinës. Mentaliteti tij duket qartë që i shkon stilit dhe traditës shkodrane të futbollit, pra një futboll sulmues që kënaq dhe tifozat.
Objektivat e Vllaznisë? Besoj se skuadra është ende në garë për të fituar një trofe këtë sezon. Kampionati ndoshta duket disi i pamundur për tu fituar por është kupa. Po thonë që, Egnatia është kundërshtari direkt i Vllaznisë si në kupë po ashtu dhe në Superiore.
Por në fund kur gjërat bëhen shumë serioze, janë ekipet e traditës ato që zakonisht dalin triumfatorë. Vllaznia ka stof tjetër krahasuar me Egnatian apo kushdo qoftë kundërshtari. Besoj se do arrijnë ta mbyllin sezonin suksesshëm.
Pogradeci? Jemi në vendin e dytë, pasi po e shohim qartë që vendi i parë i është rezervuar Elbasanit. Ne do luftojmë deri në fund për play-off-in dhe ngjitjen në Kategorine e Parë. Kam një ekip me cilësi që besoj do e mbajnë fort kampionatin dhe do të sakrifikojmë deri në minutën e fundit.“
Endri ÇINARI