Një futbollist shkodran mbërrin tek Akademia e klubit të madh italian dhe botëror- Juventusi. Ai është 14 vjeçari Samuel Rrasa i cili nga ekipi “Djelmënia shkodrane”, kaloi tek Brian’s dhe tashmë është shumë pranë firmosjen me klubin e madh italin. Një karrierë fantastike që në nisje dhe ky është shansi i madh që i jepet këtij futbollisti të talentuar.

I datëlindjes 18.05.2002, ai ka pak muaj që ndodhet në Itali dhe ka arritur të bëjë për vete drejtuesit e Akademisë së Juventusit të cilët pritet që në ditët në vazhdim, ta bëjnë zyrtarisht pronë të tyre. Bëhet fjalë për një futbollist me shumë të ardhme i cili që në Shkodër ka spikatur me talentin e tij.Samuel Rrasa është shquar për lojën e bukur, për golat e shumtë të shënuar dhe kjo ka bërë që ai të evidentohet nga të gjithë specialistët e futbollit shkodran që e kanë ndjekur në ndeshje. Kuptohet duke luajtur me ekipin “Djelmënia shkodrane” i drejtuar nga trajneri shumë pasionant Gjovalin Stolaj, në adresë të tij ka patur jo pak herë oferta për ta kaluar tek Akademia Vllaznia por palët nuk kanë qenë dakord. Ndërkohë, pak kohë më parë ka qenë Gjergj Filipi, presidenti i Akademisë Brians ka arritur ta bindë lojtarin në fjalë, trajnerin dhe familjen e tij që të shkojë për pak ditë provë në Itali. Ka ndodhur kështu dhe gjithçka ka shkuar mirë. Ai ka disa muaj që stërvitet me Akademinë e Juventusit me ekipin U-15 me trajner Stefano Protti. Të gjitha provat ai i ka kaluar me sukses dhe në muajin gusht kur të kthehet nga pushimet në Shqipëri, ai do të gjejë kontratën gati. Me këtë çështje është marrë prokuratori i tij dhe klubi italian i ka ofruar jo vetëm kontratë atij por do t’i marrë edhe familjen në Itali ngaqë është nën moshë. “Ndjehem shumë i lumtur. Po kaloj momente të bukura që as në ëndërr nuk i kisha menduar. Falë mundësisë që më dhanë drejtuesit e Akademisë Brian’s kalova disa prova tek ekipet e Akademisë së Juventusit dhe tashmë i kam kaluar me sukses ato. Drejtuesit e kësaj Akademie më kanë ofruar gjithçka sa i takon kontratës, lejes së qëndrimit, marrjes së familjes etj”- ka thënë Samuel Rrasa për gazetën www.shkodrasport.com.
Ky është një shembull i mirë i punës së menaxhimit. Gjergj Filipi me Akademinë e tij dhe me lidhjet që ka krijuar në Itali, po u jep mundësinë futbollistëve që kanë talent, që të depërtojnë edhe në futbollin italian. Përveç Samuel Rrasës që pritet të firmosë me Juventusin, një tjetër futbollist, lezhjani Luis Ndreu është pranë firmës me Akademinë e Interit. kjo do të thotë se rasti i Elseid Hysajt nuk është i vetëm por ka edhe futbollistë të tjerë të talentuar që mund të luajnë në shtetin fqinj.
Gjergj KOLA

 

 

 

Samuel Rrasa dje ne stervitje me fanellen e Juventusit veshur