Tashmë nuk ka më asnjë dilemë. Armando Cungu do të vazhdojë të jetë sërish trajner i Vllaznisë edhe në sezonin e ri. Ai është takuar pasditen e sotme me kryebashkiaken Ademi dhe drejtuesit e tjerë të klubit dhe palët kanë arritur marrëveshjen për vazhdimin e punës edhe në sezonin e ardhshëm. Ata kanë rënë dakord si për anën financiare të kontratës së tij të re ashtu edhe për plotësimin e disa kërkesave që trajneri ka parashtruar për ndërtimin e skuadrës. Ajo që ka mbetur tashmë ëshë vetëm hedhja e firmës në kontratë e cila në fakt konsiderohet tashmë një procedurë formale por që do të kryhet në ditët në vazhdim. Por bashkë me Cungun, do të vazhdojnë punën tek Vllaznia edhe dy ndihmësit e tij, Aleksandar Madzar dhe Avenir Dani. Rikonfirmimi i Cungut dhe i stafit të tij në krye të Vllaznisë është një lajm i mirë për skuadrën shkodrane pasi trajneri kohët e fundit ka patur edhe oferta nga ekipe të tjera të Superligës. Tashmë duhet pritur vazhdimësia e punës tek kuqeblutë sepse kryebashkiakja në takimin që ka patur edhe me pjestarët e stafit teknik pasditen e sotme, ka kërkuar të nisin punën për ndërtimin e skuadrës.
© shkodrasport.com