Trajneri i Napolit, Maurizo Sarri, ka ngritur zërin pas fitores 4-1 të skuadrës së tij ndaj Lazio dje në sfidën e radhës në Serinë A, duke kritikuar Federatën Italiane për kalendarin e ndeshjeve.

Sipas tij, fakti që Juventusi luan shpesh një ditë apo disa orë para Napolit vë nën një presion të madh skuadrën e tij.

Natyrisht që kjo bëhet për shkak të kalendarit më të ngjeshur që kanë bardhezinjtë, që luajnë edhe në Champions League të martën ose të mërkurën.

“Unë mendoj se kjo situatë duhej të ishte parashikuar që më parë, kur doli kalendari. Unë bëra një kritikë, që Juventusi luan shpesh para Napolit, duke qenë se janë në Champions, por mund të gjendet një mënyrë që të jemi të barabartë.

Kjo vë nën trysni skuadrat, lojtarët, trajnerët, ndaj nuk më duket e drejtë”, tha Sarri, që vazhdon të jetë me Napolin e tij në krye të Serisë A, me 1 pikë më shumë se Juventusi.

“Pjesa e parë ishte e dobët, ramë në kurth dhe na u deshën 45 minuta që të kuptonim se ku duhej të ndërhynim.

Gjithsesi, fitorja ndaj Lazio ishte e rëndësishme në shumë aspekte, pasi mposhtëm një ekip të fortë dhe u rikthyem të parët dhe kjo është gjëja që ka më shumë rëndësi.

Duke administruar qarkullimin e topit e patëm më të lehtë të fitonim dhe kjo tregoi se jemi një skuadër q dimë të vuajmë dhe fitojmë”, tha trajneri Sarri. /telesport/