Në “Villar Perosa”, në oborrin e familjes Anjeli, për miqësoren e luajtur në “familje” zbritën në fushë disa prej emrave të shumtë që Juventusi ka provuar t’i shesë dhe do vazhdojë të provojë t’i shesë deri më 2 shtator, kur të mbyllet zyrtarisht merkatoja.

Nga Gonzalo Higuain e deri te Mario Manxukiç e Blez Matuidi, drejtuesit bardhezinj shpresonin që ndaj tyre të kishin sa më shumë projektorë të kthyer nga drejtues të klubeve të ndryshme, por deri dje, asnjë risi nuk ka ardhur dhe duke parë “ngricën” që ka rënë mbi Torino, pavarësisht temperaturave shumë të larta të kësaj vere, krerët e “Zonjës së Vjetër” kanë nisur të shqetësohen se ndoshta deri në fund pak gjëra mund të lëvizin.

E pabesueshme, por e vërtetë, lojtarë si Paulo Dibala, Mario Manxukiç, Gonzalo Higuain, Blez Matuidi, apo edhe të tjerë si Sami Khedira e Rodrigo Bentankur, të cilët në raste të ndryshme kanë ngritur shpesh zërin për minutazhin e pakët që u jepte ish-trajneri Masimiliano Alegri, janë gati që të pranojnë edhe stolin vetëm për të qëndruar në radhët e bardhezinjve.

 

Luksi i tepruar, problem për Sarrin Por shqetësimi nuk është vetëm për drejtorin sportiv, Fabio Paratiçi, apo presidentin Andrea Anjeli, i cili në rast se nuk sheh njeri të largohet, rrezikon të shtojë nga xhepi shumë miliona euro vetëm për pagat e lojtarëve, pasi ky luks i tepruar është gjithashtu një problem i madh edhe për trajnerin Mauricio Sarri.

Shumë “gjela” në një kotec ndonjëherë mund të jenë diçka e mirë, kur flitet për ndonjë skuadër që synon të ringrihet në elitë, por për një “diktatore” si “Zonja e Vjetër” mund të jetë një problem, sepse pakënaqësitë mund të shfaqen gjatë sezonit në vazhdim dhe dihet se sherret nuk sjellin asnjëherë pozitivitet.

 

Aktualisht, Mauricio Sarri ka në dispozicion dy formacione ose ndoshta edhe më shumë tepër cilësore, prandaj kur të vijë koha që të bëjë zgjedhjet e rëndësishme, se kujt t’i dhurojë bluzën e titullarit e kë të dërgojë në pankinë e tribunë, aty po që do të ketë telashe. Më të rrezikuarit dhe ata që kërcënojnë më tepër situata të vështira janë emra si Dibala, Khedira, Manxukiç, lojtarë që deri dje përfaqësonin liderët e Juventusit.

Dhe me këto spaleta mbi shpatulla, do ta kishin të vështirë që të kënaqeshin me stolin, ndërsa do të shohin të tjerë dhe të rinj të ardhur si, Ramsej, Rabio apo edhe De Ligt që t’u zënë vendin. Prandaj, Paratiçi dhe drejtuesit e tjerë bëjnë mirë që të nisin të fillojnë spastrimet… /panorama-sport/