Garet Sauthgejt ka mbrojtur zgjedhjen e Herri Meguajërit në skuadrën e Anglisë për miqësoret e këtij muaji kundër Zvicrës dhe Bregut të Fildishtë, duke këmbëngulur se kapiteni i Mançester Junajtidit mund të luajë në nivelet më të larta pavarësisht kritikave për paraqitjet e tij këtë sezon.

Jo pak vetë kanë ngritur supet kur panë emrin e 29-vjeçarit në listën e “Tre Luanëve” për dy testet e fundit të përfaqësueses. Por përpara miqësores së sotme kundër Bregut të Fildishtë në “Wembley”, trajneri Garet Sauthgejt tha në konferencën për shtyp:

“Ai na ka dërguar në një gjysmëfinale Botërori dhe finalen e Europianit dhe nuk ka dyshim se është më shumë se i aftë për të luajtur në nivelin më të lartë.

Ai luajti shumë mirë për ne në vjeshtë. Klubi është në një moment të vështirë dhe mund të ketë shumë arsye për këtë”. Edhe shoku i Meguajërit në klubin e Mançesterit, Ljuk Shou, është duke përjetuar një sezon të vështirë në “Old Trafford”.

Por 26-vjeçari, i cili shënoi golin e barazimit momental në miqësoren kundër Zvicrës (2-1) lëshoi një shigjetë në drejtim të “Djajve”, duke thënë se në kombëtare ndihet i dëshiruar dhe kjo është një prej arsyeve në përmirësimin e formës së tij me Anglinë.