Sunday, June 7, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREScutari U17 shpallet kampion për Zonën e Veriut dhe ngjitet në kategorinë...

Scutari U17 shpallet kampion për Zonën e Veriut dhe ngjitet në kategorinë e parë

Ekipi Scutari U17 i drejtuar nga trajneri Erjon Hasaj është kurorëzuar sot kampion i kësaj grupmoshe në kampionatin e Ligës Amatore për Zonën e Shkodrës dhe të Lezhës duke siguruar njëkohësisht edhe ngjitjen në kategorinë e parë të futbollit shqiptar.

Gjithçka është “vulosur” paraditen e sotme pikërisht pas ndeshjes së fundit të kampionatit, ndeshje e cila u luaj në fushën sportive të Golemit dhe përballte me njëra- tjetrën skuadrat e Scutarit dhe Kukësi “B”, të cilat njëkohësisht ishin skuadrat që deri para kësaj ndeshje ndanin vendin e parë dhe të dytë.

Ekipit shkodran i mjaftonte edhe barazimi për t’u kurorëzuar kampion ngaqë udhëhiqte me 2 pikë më shumë, por në fakt ai nuk u kënaq me barazimin dhe e fitoi me rezultatin 3-1. Megjithatë pjesa e parë u shoqërua me rivalitet dhe ajo u mbyll në barazim 0-0 duke lënë gjithçka të hapur.

Por në të dytën vendasit do kontrollojnë lojën dhe do të shënojnë tre gola njëri pas tjetrit me anë të futbollistëve Arlind Spahija, Bjordi Planaj dhe Asri Bushaj. Kukësianët janë ngushëlluar me një gol të shënuar në minutat e fundit me anë të Hoda por që nuk ka vlejtur për asgjë sepse SCUTARI fitoi ndeshjen dhe u shpall kampion.

Pas përfundimit të ndeshjes është zhvilluar ceremonia e dorëzimit të medaljeve të cilat u janë dhënë futbollistëve dhe stafit teknik nga kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër Lazer Matija dhe drejtori teknik i kësaj Shoqate Hysen Zmijani.

Scutari U17 kurorëzohet me plot sukses kampion i këtij sezoni sepse e ka dominuar atë nga fillimi e deri në fund dhe në 18 ndeshjet e luajtura, ka fituar 15 prej tyre dhe humbur vetëm 3 duke grumbulluar 45 pikë, ndërsa ka patur golaverazhin 69-27. Sezonin e ardhshëm ky ekip do të luajë në kategorinë e parë të kësaj grupmoshe.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments