Ka luajtur vetë në portën e Vllaznisë, e di rëndësinë e kësaj fanelle dhe si rrjedhojë është i mendimit se drejtuesit e klubit dhe ato të stafit teknik duhet t’i besojnë më shumë portierit Kristi Qarri.

Në një prononcim për “Shkodra Sport”, ish- portieri kuqeblu Erind Selimaj është ndalur edhe tek Zogoviç, për të cilin sërish ka mendimin se nuk është një pikë e fortë e Vllaznisë dhe për këtë arsye, i duhet dhënë më shumë besim Qarrit.

Për fat të keq është kthyer në një traditë në Shkodër për t’i besuar më shumë sesa duhet trajnerëve të huaj dhe nuk i kanë besuar shkodranëve. Unë mendoj se me përjashtim të Vujadinoviç që ka qenë i një niveli tjetër, portierët e tjerë që kanë ardhur nga Mali i Zi, ju siguroj se nuk kanë qenë më të mirë se shkodranët.

Për Qarrin kam dëgjuar fjalë të mira nga pjestarë të ekipit, është rritur shumë dhe pse të mos i jepet besimi i duhur. Aktivizimi i tij në një ndeshje si ajo me Kukësin, është një thikë me dy presa. Nëse hyn në një ndeshje të tilla dhe bën një paraqitje të mirë, atëherë në ndeshjet ndaj skuadrave më të vogla, gjithçka të bëhet më e lehtë.

Porta njëlloj është, si për ndeshje të mëdha ashtu edhe për të vogla, emocione ke për të patur gjithmonë. Qarrit i duhet dhënë më shumë besim. Kam parë që edhe në ndeshjet e kupës nuk i janë dhënë minuta dhe ky është një mosbesim i tepruar.

E kam thënë edhe më përpara, që nuk jam shumë i kënaqur me portierin e parë të Vllaznisë dhe pse të mos i besohet më shumë Qarrit, për ta patur më të sigurtë këtë repart. Kristi e ndjen më shumë fanellën e Vllaznisë, më shumë se çdo jabanxhi dhe padyshim që do të jetë një përfitim i madh për klubin, nëse e fitojmë atë si portier”./SHKODRA-SPORT.COM/