Nga komuniteti i futbollistëve shkodranë që sezonin e shkuar veshën fanellën e Besëlidhjes ishte edhe mesfushori me tipare sulmuese, Senad Lekaj. Ndonëse me Besëlidhjen është grumbulluar që me nisjen e fazës përgatitore, si titullar është aktivizuar pas largimit të trajnerit Stavri Nica, kohë që u largua dhe mesfushori Orian Xhemalaj dhe Jurgen Goxha.

Lekaj ka firmosur një kontratë 2-vjeçare, por që deri tani ka konsumuar vetëm gjysmën, pra ka edhe një sezon zyrtarisht, ndonëse është larguar pa u mbyllur ende sezonin. Një përplasje në stërvitje bëri që lojtari të përjashtohej nga skuadra. Tashmë, ai kërkon një aventurë të re jashtë Shqipërisë dhe beson se do të lihet i lirë nga presidenti Noka.
LEKAJ
“Të veshësh fanellën e Besëlidhjes do të thotë se je i vlefshëm si futbollist, pasi ajo skuadër jo vetëm që mbeti deri në fund pretendentja kryesore për t’u ngjitur në Superiore, por ia doli të surprizonte duke shkuar deri në gjysmëfinalet e Kupës. Sa i përket kohës që kam qenë pjesë e Besëlidhjes, unë e kam ndier veten shumë mirë nga të gjitha pikëpamjet, sidomos pasi drejtimin teknik e mori trajneri Alban Bruka.
Në atë periudhë kalova edhe një dëmtim dhe isha rehabilituar 100% dhe ia dola që ta përballoja me sukses gjithë minutazhin e lojës. Të gjithë për mua pas çdo ndeshje kanë thurur elozhe si trajneri Alban Bruka, edhe presidenti Gjok Noka.
Beselidhja
Befas ndodhi një ngjarje që nuk dua ta kujtoj dhe që nuk ishte e qëllimshme, por thjesht një debat me shokun tim të skuadrës që nuk kishim asgjë ndaj njëri-tjetrit dhe për këtë jam mjaft i mërzitur edhe sot e kësaj dite. Pas kësaj unë u përjashtova nga skuadra dhe këtë e kam sqaruar në atë kohë në gazetën tuaj të gjithë ngjarjen”, është shprehur fillimisht Lekaj.
Më tej, ai ka folur në lidhje me të ardhmen: “Unë gjatë kësaj periudhe pushimesh kam pasur dhe vijojnë të më vijnë oferta, por e kam vendosur që sezonin e ri ta nis jashtë Shqipërisë dhe për këtë po punoj duke studiuar disa oferta. Për momentin që flasim, unë jam pjesë e Besëlidhjes dhe kam edhe një vit kontratë, por besoj se presidenti do ma zgjidhë kontratën që të mund të vijoj karrierën time jashtë vendit. Sa u përket lajmeve nga Tërbuni, nuk kam asnjë kontakt me atë klub dhe as që do të bëhem pjesë e tij. Siç e theksova më lart, dua që të luaj jashtë vendit”, përfundoi prononcimin shkodrani per “Panorama Sport” Senad Lekaj.