Barcelona dhe Sevilja kanë mbyllur një tjetër marrëveshje transferimi mes tyre, me Zhyl Kunde që ka kaluar nga andaluzët te katalanasit.

Kjo marrëveshje është e fundit në një seri të gjatë transferimesh nga Sevilja drejt Barçës, ç’ka ka bërë që klubi andaluz të konsiderohet si një “supermarket” i veçantë për Barçën.

Me transferimin e Zhyl Kunde në “Camp Nou”, Sevilja pritet të arkëtojë 60 milionë euro, duke e çuar në 200 milionë euro arkëtimet nga shitjet e lojtarëve të saj te Barcelona.

Ata që hapën dyert e “supermarketit” ishin Sejdo Keita dhe Dani Alvesh, të cilët iu bashkuan Barçës në vitin 2008 për shumën e 50 milionë eurove, 14 për Keita dhe 36 për brazilianin.

I radhës që iu bashkua Barçës nga Sevilja ishte Adriano Korreia në korrik 2010. Në verën e vitit 2014, Ivan Rakitiç do të kalonte nga Sevilja në Barcelonë për 18 milionë euro.

Në vitet 2015 dhe 2018 pati dy lëvizje të tjera në këtë aks, me Aleiks Vidal e Lengle që iu bashkuan Barçës për 17 dhe 36 milionë euro. I fundit që iu bashkua kësaj liste ishte Luk de Jong, i cili u huazua te Barça.