Vllaznia do udhëtojë nesër në Elbasan për tu përballur me Dinamon për javën e 14-të të Superligës. Një takim ku shkodranët vijnë me humorin dhe formën e duhur e ndërsa e kundërta ndodh tek dinamovitët që po vuajnë një krizë. Ndeshja mendohet të jetë e fortë duke parë që të dy ekipet kanë objektiva madhorë këtë sezon.

Por tek Dinamo ka dy ish-futbollistë të Vllaznisë së sezonit të kaluar që mahnitën të gjithë në Shqipëri. Po flasim për dyshen mbrojtëse Alexander Isaevski dhe Eni Imami. Të dy u larguan në verë nga kuqeblutë për tu transferuar tek ekipi kryeqytetas. Por aventura e tyre nuk po shkon aq e suksesshme sa mendohej.

Mbrojtësi i majtë nga Maqedonia e Veriut e ka parë veten shpesh edhe në stol gjatë këtij kampionati. Kjo si pasojë e formës së tij jo konstante. Gjithashtu edhe Eni Imami pavarësisht një starti të mirë të sezonit, në ndeshjet e fundit nuk ka qenë në nivelin e duhur.

Kjo duket një “metamorfozë” e ish-lojtarëve kuqeblu që para një sezoni ishin ndër më të mirët e kampionatit. E ndërsa sot nuk po tregojnë nivelin e tyre, kjo ndoshta edhe si pasojë e ekipit të Dinamos i cili u pompua aq shumë para fillimit të sezonit e ndërsa rezultatet e fundit tregojnë një ekip edhe jo aq të fortë.
Endri ÇINARI