Vllaznia e futbollit të femrave do të zbresë në fushë mbrëmjen e sotme në orën 19:00 në stadiumin “Loro Boriçi” për ndeshjen e raundit të dytë të Ligës së Kampioneve, teksa do të përballet me një emër gjigant të Europës, siç është Juventusi.

Një sfidë historike për të gjithë futbollin e femrave në vendin tonë, e cila po pritet me interes shumë të madh në Shkodër, ku vajzat kuqeblu do të kenë mbështetjen e zjarrtë të publikut. Përveç dominimit me 8 tituj kampionë radhazi në Shqipëri, Vllaznia është kthyer në një garanci edhe në Europë, aty kur për herë të dytë ka arritur të futet mes 32 ekipeve më të mira të kontinentit.

Vajzat kuqeblu kaluan në raundin e parë Ferencvaroshin e Hungarisë, ndërsa tashmë do të matin forcat me kampionet e Italisë. Ashtu sikurse shkodranet, edhe Juventusi kërkon që të sigurojë fazën e grupeve në Champions, që do të ishte hera e parë për to.

Skuadra bardhezi, e krijuar në vitin 2017, është dominuese absolute në futbollit italian, duke fituar 4 tituj radhazi në Serinë A. Ndeshja e sotme në Shkodër do të arbitrohet nga një treshe kroate, me kryesore Sabina Boliç. Ndërkohë, Juventusi ka mbërritur në Shqipëri pasditen e djeshme.

Skuadra piemonteze, e cila ka në përbërje bazën e kombëtares italiane, duket shumë e karikuar për këtë sfidë e kjo konfirmohet qartë nga fjalët e trajnerit australian Xho Montemurro.