Trajneri i Kroacisë, Zlatko Daliç në një konferencë për mediat foli për përballjen me Brazilin në çerekfinalen e Kupës së Botës, Katar 2022. Ai u shpreh se ata janë një ndër favoritët për tu shpallur kampionë, por Kroacia ka për t’ja vështirësuar shumë punën.

“Janë 18 lojtarë të rinj që nuk ishin në Kupën e Botës (në 2018). Na duhet kohë për t’u zhvilluar dhe pjekur. Suksesi ynë për të qenë në mesin e tetë skuadrave më të mira është i jashtëzakonshëm. Ata duhet të dëshmojnë veten në Kupën e Botës dhe nesër është një mundësi e mirë për ta që ta bëjnë këtë. Ne duam të bëjmë më shumë dhe nëse arrijmë ta bëjmë, do të ishte spektakolare.

Do të ishte më mirë të ishte finalja. Kroacia ka humbur tre herë dhe ka barazuar një herë kundër Brazilit dhe Modriç tha se tani ishte koha që gjërat të ndryshojnë. Ne jemi përballur me Brazilin në disa raste dhe nuk kemi fituar kurrë kundër tyre. Shpresoj se mund të ndryshojmë traditën.

Ndeshja më e mirë në një Kupë Bote tani është përpara nesh. Ata janë një nga favoritët më të mëdhenj dhe me atë që treguan këtu ata meritojnë të jenë një nga favoritët. Ne duhet të luajmë ndeshjen tonë më të mirë dhe pastaj kemi një shans. Unë nuk mendoj se presioni i vazhdueshëm ndaj tyre është shumë i zgjuar, por as nuk duhet t’u japim atyre shumë hapësirë.

Ne do të përpiqemi t’i kontrollojmë me mençuri, mund t’u bëjmë atyre një ndeshje të vështirë. Nuk duhet të jemi të kënaqur me arritjen në çerekfinale,” tha ai.