Vllaznia e femrave, regjistroi humbjen e katërt radhazi në grupet e Champions-it, teksa u mposht mbrëmjen e sotme nga PSG-ja me rezultatin 0-4, në duelin e zhvilluar në “Loro Boriçi”.

Francezet shënuan nga dy gola për pjesë teksa dueli u zhvilluar minutën e 19-të nga ana e Diani që realizoi nga pika e bardhë e penalltisë.

Në të 36-tën ishte sërish e njëjta autore që ndëshkoi Vllazninë ndërsa në fraksionin e dytë, Bashman në minutën e 60 dhe Folkuet në minutën e 81-të, plotësuan “pokerin” e PSG-së.

Pas këtij triumf, PSG ngjitet në vendin e dytë në grup me shtatë pikë, ndërsa nga ana tjetër, Vllaznia mbetet e fundit dhe ende është në kërkim të golit të parë europian ndërsa ka pësuar plot 19 të tillë në një grup ku bëjnë pjesë edhe Çelsi dhe Real Madridi.