Gilman Lika ka dhënë një intervistë për emisionin “Sport Magazine“, të prezantuar nga Drilon Xhepollari dhe të transmetuar në “Ora News“.

Ish-futbollisti shkodran ka komentuar dënimin e Serbisë nga FIFA, të cilin e sheh si mjaft minimal. Lika është shprehur se priste përjashtimin e Kombëtares serbe pas shfaqjes së flamurit me hartën e Kosovës, por habitet se si FIFA mjaftohet me një gjobë prej vetëm 20 mijë frangash.

“Si një ish-futbollist i Kombëtares, apo çdo futbollist kur dëgjon kështu ngjarjesh, aq më tepër kur ka lidhje me Serbinë, pa diskutim krijon një mllef shumë të madh. Duke ditur edhe marrëdhenien dhe urrejtjen që ata kanë ndaj nesh. Duke parë gjestet e fundit, dënimi i tyre ka qenë shumë i vogël në krahasim me sa kanë merituar.

Që në momentin që i kam parë gjestet e tyre, sidomos mbishkrimin në dhomat e zhveshjes, prita një përjashtim direkt nga kompeticioni. Por ajo nuk ndodhi. Si duket ata kanë njeri të fortë, duke folur edhe gjuhën e shqiptarëve se nuk ka mundësi. Ata thonë ‘provokacja‘, por provokimi i parë vjen prej tyre.”, ka thënë Gilman Lika.