Nga Endri ÇINARI
Skënderbeu-Vllaznia do jetë dueli që do hapë javën e 9-të të Superiores. Një ndeshje që pritet të sjellë një 90 minutësh shumë interesant mes dy ekipeve. Por si rrallë herë në ndeshjet e futbollit tonë, në fushë nuk do ketë “ish-ë” të dy ekipeve. Nga 11-tshet që pritet të jenë në fushë, asnjë nga lojtarët nuk ka luajtur më parë me kundërshtarin.
Por tek Vllaznia janë pjesëtarë të stafit që kanë qenë më parë pjesë e Skënderbeut. Duke nisur që nga trajneri, Migen Memelli. Ish-sulmuesi ka qenë pjesë e bardhekuqve në të shkuarën si futbollist, por edhe si trajner. Duke lënë gjurmët e tij në qytetin juglindor. Por është edhe një tjetër pjesëtar i stafit që ka luajtur më parë me Skënderbeun.
Fjala është për zëvendës trajnerin e shkodranëve, Ndriçim Shtubina. Në sezonin 2008-09, 36-vjeçari ka luajtur për një edicion në Korçë, ku ka shënuar edhe 3 gola. Përsa i përket futbollistëve që kanë luajtur me Skënderbeun në të shkuarën, ai është Dritmir Beci tek Vllaznia.
Por mbrojtësi nuk pritet si titullar në duelin ndaj ish-ekipit të tij ditën e nesërme. Megjithatë kushdo që të zbresë si titullar nesër për kuqeblutë, detyra është që në Korçë të merret një rezultat pozitiv. Që do ishte edhe një kthesë për ekipin kuqeblu, ku rezultatet kanë qenë plot ulje e ngritje në 8 javët e para të kampionatit.