Ka dëshirë të jetë kritik në momente të caktuara, por këtë nuk e bën se nuk beson tek kjo Vllazni. Ish- futbollisti dhe ish- drejtuesi i saj Kujtim Shaba, gjatë prononcimit të tij në emisionin “Sport Arena” i ka bërë një analizë të hollësishme ecurisë së kuqebluve.

“Ai që nuk ka dëshirë me e pa Vllazninë kampionë, të ikin krejt prej Shkodret. Madje edhe ata shkodranë që jetojnë në Tiranën, të ikin edhe prej Tiranet. Nuk duhet të ketë njeri që nuk kënaqet me këtë sukses sepse Shkodrës vetëm ajri e futbollin ka sepse na i kanë heq të gjitha të tjerat.

Na e hoqën teatrin, na kanë heq arshivën, po ashtu edhe drejtorinë arsimore. Ishalla nuk po na heqin edhe futbollin sepse vetëm ai na ka mbet në Shkodër.

Jam pak kritik me skuadrën në këto momente sepse nuk duhet të lëshojë terren për kundërshtarët që mezi presin për gabimet e saj. Në këto 3-4 ndeshjet e fundit nuk shoh atë Vllazni që kam parë në ndeshjet e mëparshme.

Ndoshta vetë skuadra ka kaluar edhe pak në eufori nga atmosfera që është krijuar në qytet, por stafi duhet t’i mbajë larg lojtarët dhe të mos bien pre e kësaj euforie. Tashmë çdo ekip që vjen në Shkodër e studion mirë Vllazninë dhe kërkon t’i marrë pikë në çdo lloj mënyre.

Prandaj dhe stafi teknik ndoshta duhet të ndryshojë edhe mënyrën e të luajturit. Nuk duhet të luajë më në mënyrë akademike, por ta dërgojë topin me ngulm në 15-20 minutat e para sepse nëse kalojnë minutat pa gol, futbollistët rëndohen psikologjikisht dhe favorizohen kundërshtarët.

Vllaznia ka arritur deri këtu prej përgatitjes së mirë fizike, prej lojës së mirë, prej shpirtit të lartë të garës dhe këto duhet t’i reflektojë edhe në vazhdim. Nuk mund të them se skuadra ka rënie fizike në këto 3-4 ndeshjet e fundit, por duhet që ajo të vazhdojë të luajë me të njëjtën mënyrë.

Kampionati deri në fund të fazës së tretë luhet, sepse në të katërtën pastaj nëse e ruan këtë distancë, nuk merret kush më me ty, por mundohen të bëjnë llogaritë e veta për të kapur Kupat e Europës. 8 javët e mbetura të fazës së tretë janë përcaktuese dhe vendimtare”./SHKODRA-SPORT.COM/