Vllaznia U-19 pak ditë më parë fitoi Kupën e Shqipërisë në futboll duke mundur Shkëndinë e Tiranës me rezultatin e thellë 4-0.
Autor i golit të parë në këtë finale ishte Ildi Gruda. Të dielën, ky ekip luajti në Tiranë ndaj skuadrës me të njëjtin emër dhe fitoi 4-3.
Autor i golit të dytë ishte sërish ai, Ildi Gruda. Një futbollist që po spikat çdo ditë e më tepër për aftësitë e tij nuhatëse para portës kundërshtare dhe dërgimit të topit në rrjetë.
Jo më kot, me 9 gola të shënuar deri tani, është golashënuesi më i mirë i kampionatit për ekipin e Vllaznisë.
Po kush është ai? I datëlindjes 10 shkurt 1999, ai vërtetë ka lindur në Lezhë por është një shkodran në të gjitha drejtimet.
Ildi është djali i Xhabir Grudës, një emri shumë të njohur të futbollit lezhjan të viteve ’80. Po ashtu është i vëllai i Mirsad Grudës, mbrojtësit që luajti për shumë vite me sukses në rradhët e Besëlidhjes.
Çka do të thotë se familja e tij është krejtësisht sportive. Por për ata që nuk e dinë, Ildi ka edhe katër xhaxhallarë që kanë luajtur me shumë sukses futboll me Vllazninë.
I madhi është Selman Gruda, një sulmues i shquar i kuqebluve në vitet ’70-’80 teksa dallohej sidomos për goditjet e sakta me kokë.
Fitues titujsh kampionë e Kupa të Republikës me këtë ekip. Pas tij janë Azizi e Bujari, që kanë luajtur njëkohësisht në gjysmën e dytë të viteve ’80 para se të largoheshin drejt Gjermanisë ku jetojnë edhe sot.
Edhe ata të dy janë shpallur kampion me Vllazninë në vitin 1992. Pas tyre është rradha për më të voglin- Shpëtimin.
Ai ka luajtur me skuadrën shkodrane në vitet ’90 si sulmues. Nuk ka ku shkon më bukur!
Pesë vëllezër futbollistë dhe dy të tjerë, nipat e tyre. Plot 7! Ildit i bie të jetë “i shtati në bronz”.
Ai që po spikat me Vllaznia U-19 aktualisht. Sigurisht që nuk do të jetë i fundit sepse familja shkodrane Gruda shumë shpejt do të nxjerrë të tjerë futbollistë të talentuar.
Gjergj KOLA
Ne foto, Aziz, Selman dhe Bujar Gruda
Ne foto, Shpetim dhe Bujar Gruda
Ne foto, Mirsad, Ildi dhe Xhabir Gruda