Kujtim Shaba e konsideron Vllazninë si një skuadër pa grintë dhe pa dëshirë për të fituar. Ish-administratori i klubit shkodran, duke iu referuar humbjes së thellë ndaj Egnatias në Rrogozhinë, mendon se te kuqeblutë, po nuk u ndanë detyrat dhe po nuk u mbajt përgjegjësi nga të gjithë, nuk do të ketë arritje të objektivave.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-administratori i Vllaznisë në periudhën kur kjo e fundit menaxhohej nga Bashkia Shkodër, por edhe ish-presidenti Valter Fushaj, analizoi ecurinë në katër javët e para dhe atë që pret nga ekipi. Për Shabën, afrimi më i rëndësishëm është ai i mesfushorit Lorik Boshnjaku, ndërsa ka shumë rezerva për futbollistët e tjerë.

Shaba u shpreh se ndaj Egnatias ishte një ekip pa shpirt gare dhe pas asnjë motiv, ndërsa theksoi se në fushën e lojës futbollistët ishin totalisht të pamotivuar.

“Nëse flasim për ndeshjen e fundit ndaj Egnatias në Rrogozhinë, sigurisht që rezultati 3-0 tregon më së miri mënyrën e lojës dhe gjendjen e ekipit. Mund të humbasësh me të gjitha skuadrat, por me atë lojë pa shpirt gare dhe pas asnjë motiv, je i destinuar të shkosh në humbje të tilla. Pashë një skuadër që ishte totalisht e pamotivuar dhe shumë futbollistë që dilnin nga detyrat taktike që i kishte dhënë trajneri Josa.

Unë mendoj se ndaj Egnatias ishte një humbje e papritur, por mënyra si luajti ekipi lë shumë për të dëshiruar. E thashë edhe më lart, pashë një skuadër pa grintë dhe pa pikën e dëshirës. E kundërta ndodhi me Egnatian, që e fitoi ndeshjen tek dëshira e madhe që tregoi. Nuk mendoj se ata kanë kualitete më shumë se Vllaznia.

I kam ndjekur të katërta ndeshjet e Vllaznisë dhe mund të them se me përjashtim të 45-minutave me Kukësin apo 25 minutave me Tiranën, kam parë një skuadër që jep shumë brenda një 90-minutësh. Pra, nuk ka luhatje vetëm nga ndeshja në ndeshje, por gjatë një loje. Kjo më duket e pashpjegueshme. Vllaznia has shumë vështirësi pasi pëson një gol.

Për të ndërtuar një skuadër me pretendime për titullin, duhet që trajneri Josa kur të kthejë kokën pas, të ketë alternativa ose futbollistë me pak diferencë. Mungesa e kësaj konkurrence mendoj se është e dukshme. Mungonin Latifi, Hakaj dhe Marku ndaj Egnatias në Rrogozhinë, ndërsa u pa se ata që u aktivizuan nuk kishin ato cilësi. Kjo ka ndikim të dyanshëm, pasi këta që munguan, e mendojnë veten të paprekshëm. Ne e pamë që Egnatia kishte në lojë 11-gladiatorë, ndërsa Vllaznia 11-akademikë. Po nuk e rriti grintën dhe besimin, nuk ka për të qenë Vllaznia aty ku duhet.

Të gjithë kërkojnë që të përfitojnë në javët e para, por po t’i hedhim një sy tabelës së klasifikimit, shikojmë se klubet që kanë pretendime, kanë pasur më shumë oshilacione. As Kukësi nuk është për të qenë në fund, poashtu as Laçi dhe për më tepër Tirana. Prandaj, javë pas jave gjërat do të ndryshojnë dhe ekipet do të shkojnë aty ku iu takon.

Vllaznia duhet të ndryshojë për titullin? Unë mendoj që po, por është ende herët. Cili prej ekipeve të tjera ka bërë paraqitje për kampion? Pamë Partizanin që u mund nga Erzeni. Kështu që për momentin, nuk ka asnjë ekip që bind për kampion.

Për mendimin tim, Vllaznia e ka ruajtur boshtin dhe ka bërë një nga blerjet, që e shoh si më të mirën, mesfushorin Lorik Boshnjaku, i cili deri më tani ka bindur. Një futbollist me grintë, që njeh lojën, ndërsa për të tjerët e afruar, deri tani kam shumë rezerva.

Tek Vllaznia, po nuk u ndanë detyrat dhe po nuk u mbajt përgjegjësi nga të gjithë, nuk pres që të kemi diçka për më lart. Megjithatë, unë kam besimin e plotë tek Josa. Ai e njeh futbollin tonë shumë mirë dhe di si të rregullojë gjërat në skuadër. Nga ana tjetër, futbollistët duhet ta rikthejnë ekipin aty ku e duan të gjithë dhe poashtu tek objektivat që kanë drejtuesit me në krye presidentin Alban Xhaferi këtë sezon.

Ky sezon po tregon se nuk ka skuadra me emër. Kastrioti ka ditur të surprizojë në Shkodër dhe për këtë, ekipi duhet që të ketë kujdes maksimal. Unë mendoj se Vllaznia do të fitojë në këtë përballje”,-mbylli prononcimin e tij, ish-administratori i Vllaznisë, Kujtim Shaba.
Maringlen ZHIVANI