Vllaznia po vijon përgatitjet me seancat stërvitore, ku gjithçka ka shkuar normalisht në kompleksin “Hasaj”. Kuqeblutë do të presin në “Loro Boriçi” të dielën skuadrën e Kastriotit.

Në ekipin e Josës, flitet vetëm për tre pikë dhe një mbyllje pozitive, pasi do t’i lihet vendi ekipit të Kombëtares së Shqipërisë, për t’u rikthyer në 28-shtator me ndeshjen e Kupës së Shqipërisë ndaj Flamurtarit.

Nën drejtimin e Mirel Josës, futbollistët kuqeblu zhvilluan seancën e rradhës stërvitore, ku u punua më shumë për pjesën taktike dhe disa plane për të arritur te goli. Trajneri provoi edhe formacionin që pritet të hidhet në fushë të dielën.

Mirel Josa duket se do t’i besojë kroatit Ante Aralica për ndeshjen ndaj Kastriotit. Tashmë, sulmuesi do të kthehet në formacion, duke qenë se në ndeshjen me Egnatian, me Kainën në majë nuk është se funksionoi shumë.

Kështu, me Malën dhe Hoxhajn në krahë, Josa do t’i japë një shans Aralicës në sulm. Një tjetër futbollist i rëndësishëm që do të kthehet si titullar, është Herald Marku. Mesfushori organizator do ta nisë nga minuta e parë ditën e dielë ndaj Kastriotit. Bashkë me Heriç dhe Jonuzin, do të formojnë treshen e mesfushës.

Ndërkohë në mbrojtje, i pandryshuar kapiteni Gurishta nga e djathta, me Juriç dhe Bulatoviç në qendër. Në krahun e majtë, kthehet Hakaj, i cili ka arritur në kondicionin e duhur fizik për ta nisur nga minuta e parë ditën e dielë. Smajli do ta nisë nga stoli, ndërsa në portë si gjithmonë do të luajë Bojan Zogoviç.

Në stol, gjithashtu të gatshëm pritet të jenë Shehi, Kaina, Vulaj, Alivoda, me disa prej tyre që mund të aktivizohen në pjesën e dytë. Të shtunën, Vllaznia do të zhvillojë edhe seancën e fundit përpara ndeshjes me Kastriotin.
Maringlen ZHIVANI